… për një vit më të lehtë!
Përcjellja e një viti sfidues nuk qe aspak e lehtë. Ku me dhimbje e ku me lot … thuajse çdo folezë e ndjeu në palcë idhtësinë e ikjeve dhe peshën e rëndë të flamës që e patë përthekuar botën mbarë.
E megjithatë, shpirti i njeriut i mbrus me shpresë nuk e pranon kollaj dorëzimin. Prandaj në vigjilje të këtij motmoti le t’i kthejmë sytë nga gjërat e vockla, por me peshë të madhe, falë së cilave jeta jonë mund të trandet nga e mira!
Kështu, pa e sforcuar shpirtin:
- shtojini pak erëza përshpirtshmërie jetës suaj sepse në këtë mënyrë do të ndërtoni ca zakone të reja, përmes së cilave bukuria e çdo gjëje rrotull ka për ta paqtuar zemrën, mendjen dhe shtëpinë tuaj!
- Lehtësojeni ambientin fizik brenda së cilit jetoni e punoni! Mos mbani më shumë gjëra nga sa ju duhen! 10 minuta në ditë për ta sistemuar rrëmujën e zakonshme mund të jenë pikë-kthese për rutinën!
- Nuk është mëkat të duash! Përkundrazi, viti që lamë pas krahëve na mësoj se jeta mund të jetë më e shkurtër sesa një përpëlitje sysh! Andaj, shtrëngojini me dashuri, kujdes e liri ata që zemra ju do më tepër!
- “Adaptojeni një Bimë” sepse jo vetëm do ta përmirësoni cilësinë e ajrit në vendin që kaloni kohë më tepër por duke e ujitur atë, gjendja juaj emocionale mund të ndreqet kollaj!
- Falni prej kohës tuaj kohë e vëmendje atyre që ju duan! Pak orë larg teknologjisë a rrjeteve sociale! Duke respektuar distancën, përpiquni t’i takoni miqtë e vjetër, familjarët ose kolegë të kahershëm me të cilët keni ndarë vite jete! Ndonjëherë, duke kujtuar veten që kemi qenë është me e lehtë për ta ndërtuar një vete më të fisme!
- Shkëputuni pak nga televizori, telefoni, lap top-i, Facebook-u apo Instagram-i. Të paktën një herë në javë le të jetë libri, miku juaj i rrugëtimeve të harruara!
- Të hedhësh mbi letër gjithë çfarë mbanë zemra është shpesh herë kura më e mirë për ri-gjetjen e qetësisë dhe baraspeshës së munguar! Shkruani, reflektoni dhe mos harroni ta falni veten për gabimet prej të cilave keni nxjerrë mësime!
- Pandemia më shumë se çdo gjë tjetër na dëftoj se duhet të kujdesemi vazhdimisht për trupin dhe mendjen tonë! Mos i harroni kontrollet rutinore dhe konsultat me mjekun tuaj. Reagimi në kohën e duhur është ilaç.
- Mbështeteni njëri – tjetrin! Ne nuk mund të jetojmë as të izoluar e as të vetmuar!