Portret demokracie
Edhe tash e rritur sërish e kam të portretizuar demokracinë dhe bërjen e këtij vendi kahera me një person: Djalin e pashëm shtatlartë e flokëverdhë me triko leshi me arna e opinga porsi përshkrimi i djalit që i bëri im atë sime mëje tek i dëftonte vite të shkuara për takimet me njerëz të zakonshëm zonave të thella të Shqipërisë, tek e binte puna për çdo ditë pas rënies së komunizmit.
Ai i pat thënë tim eti se nuk priste filozofira e nuk aspironte se çfarë veç të vinte dita të ngrihej nga sofra njëherë i ngopur. Im at nuk i kish mbajtur lotët. Ai djalë azgan, siç e zë në gojë kahera, as tetë klasë shkollë nuk kish, as në qytet s’i kish shkel këmba, zotonte një mençuri të rrallë. E kish kërkuar edhe më vonë por nuk e pat parë më kurrë.
Të dy, unë edhe im’at kemi rënë dakord të bindur se do ketë emigruar gjetkë e se atje pak nga vuajtjet e pak nga zotësia e zgjuarsia që kishte do ish bërë dikush e do ia kish dalë…edhe pse hijen e portretit të tij e la pas, për ne të dy. Zhuritur si demokracia e brishtë e një vendi të vogël./ Marcela Tringaj