PriestmanGoode krijon paketime eko-miqësore që ripërdoren nga lëvozhgat e kokrrave të kakaos
Kompania PriestmanGoode në Londër ofron paketime eko-miqësore për shpërndarjen e ushqimeve. Ato përgatiten nga materiale të qëndrueshme si gjethet e ananasit, micel, lëvozhgat e kokrrave të kakaos. Paketimi vjen me konceptin “zero” për një sistem shpërndarje ushqimi që inkurajon konsumatorët të kthejnë paketimet. Sistemi funksionon mbi bazën e besnikërisë së klientit që paguan një tarifë të ulët për paketimin kur porosit ushqim dhe rimbursohet kur kthen paketimin në porosinë e radhës. Aplikimi i këtij sistemi bazuar në shpërblime për kthimin e paketimeve sjell ndikim pozitiv dhe modifikon sjelljet e klientit në modele më të qëndrueshme.
Sipas raportit të vitit 2019 nga Azoth Analytics, tregu i shpërndarjes dhe marrjes së porosive të ushqimit online vlerësohet 53.5 miliardë $ në vit në nivel global. Kjo shifër tani është më e lartë si rezultat i pandemisë COVID-19, masave të izolimit dhe regjistrimit online të restoranteve në platformat e shpërndarjes.
Kompania PriestmanGoode e nisi projektin para shpërthimit global të koronavirusit, por ridizenjimi i shpërndarjes së ushqimit është bërë edhe më i rëndësishëm në ditët e sotme, pasi është rritur konsumi i ushqimeve në shtëpi. PriestmanGoode bëri disa kërkime për materiale që mund të zëvendësojnë plastikën dhe riciklohen, ai bashkëpunon me disa ekipe si:
- Paula Nerlich e cila ka krijuar bioplastikën që përgatitet nga nënproduktet e industrisë së kakaos.
- Ty Syml që përdor micelin për izolim në çantën e dorëzimit.
- Piñatex siguron alternativën nga gjethet e ananasit që përdoret për kapakun e çantës.
- Yulex ka krijuar gomë me bazë bimore që përdoret për enën e ushqimit dhe dorezat e çantave.
- Pjesa e jashtme e çantës përbëhet nga materiali i biodegradueshëm nga Crafting Plastics krijuar me niseshte misri, sheqer dhe vajin e mbetur të gatimit, që mund të përballojnë temperaturat e larta.
- Margarita Talep ka krijuar materiale me bazë algash që zëvendësojnë filmin për të parandaluar rrjedhjet.
Nga Aleksandra Stambolliu