Puka e pasur por jo për banorët e saj
Nëse do të bëni një kërkim të thjeshtë në internet me togfjalëshin “Pyjet e Pukës”, do t’ju shfaqen menjëherë një sërë lajmesh e artikujsh ku kryefjala mbetet resurset natyrore të këtij vendi të bekuar.
Rrethi i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërise Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore me sipërfaqe të eroduara, lëndina e livadhe të cilat ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.
Këtu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat si edhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në kënget e vallet popullore aq të bukura të kësaj treve.
Kjo zonë mbetet një ndër zonat e pasura minerare të vendit, e cila disponon gjithashtu një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Megjithatë, prerja pa kriter e pyjeve ka shkaktuar jo pak probleme për këtë zonë.
Mbyllja e minierave apo dhënia e tyre me konçesion ka shtuar numrin e të papunëve në Pukë, duke e kthyer varfërinë në një problem akut për banorët e zonës. Për shkak të saj, një pjesë e mirë e popullatës ka migruar në drejtim të Shqipërisë së Mesme ose emigruar jashtë Shqipërisë. Të ardhurat nga emigracioni janë një burim i rëndësishëm mbijetese për këtë bashki.
Prej vitesh në këtë zonë kanë munguar investimet me rëndësi, ndërsa rruga Durrës-Kukës e ka aneksuar dhe izoluar edhe më shumë Bashkinë e Pukës.
Terreni malor i Pukës është shumë i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit malor; krahas pasurive dhe burimeve natyrore me vlera të mëdha ekonomike që gjenden brenda hapësirës gjeografike të Pukës, kryesisht pyje natyrore, bimë mjekësore, pasuri nëntokësore minerare.
Gjatë viteve të fundit, një numër i vogël turistësh janë rikthyer në Pukë për shkak të hapjes së një piste skish dhe ndërtimit të disa haneve. Megjithatë, numri i tyre vazhdon të mbetet i ulët.