Puna e fëmijëve në plantacione në vesh të shurdhër
Për fat të keq, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) del në përfundimin se puna e fëmijëve sa vjen e rritet në vende më pak të zhvilluara. Nga nënpunës të lartë të zyrave qëndrore tejet komode në Gjenevë të Zvicrës, vjen deklarata se: “Mund të jetë e pranueshme puna për fëmijët 13 apo 15 vjeçarë në plantacionet e duhanit, për aq kohë sa ky angazhim nuk vë në rrezik arsimimin e shëndetin e tyre”.
Duket se ky lloj përcaktimi nuk është për fëmijët zviceranë, as ata europianë, australianë apo amerikanë, për familjet e tyre të qeta e të lumtura. Ky përcaktim është veçse për fëmijë të vendeve të varfëra, të cilët ndihmojnë familjet e tyre. Nuk është aspak si puna e fëmijëve normal, një lule e mbjellë në kopësht, derdhja e mbeturinave në kosh, apo punëdore me gjyshen në kohë të lirë.
Kjo punë është me orë të tëra, në sy të diellit dhe në plantacione gjigante, punë e bërë për kompanitë e mëdha multinacionale. Punë që vë në mënyrë konstante në rrezik shëndetin e vogëlushve (mendoni pak plantacionet me produktin e duhanit, puna në fushë të hapur nën rrezet e nxehta të diellit). Por ndërkohë, këta fëmijë shpenzojnë mbi tetë orë në punë sipas statistikave, një kohë që absolutisht pengon arsimimin e këtij kontigjent fëmijësh. Ëndrrat gjithashtu!