Pushime falas për familjet me të ardhura të ulta në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut ka bërë publike një paketë ndihme për t’iu mundësuar pushimet verore familjeve me të ardhura të ulta. Ministria e Ekonomisë ka bërë publike thirrjen e për zbatimin e masës pushim i organizuar i punëtorëve me të ardhura të ulëta, të ardhurat mujore të të cilëve në familje nuk e kalojnë shumën neto prej 30,000 denarë (487 Euro).
Kjo masë është pjesë e Programit për turizëm vendor për punëtorë me të ardhura të ulëta gjatë vitit 2021 dhe parashikon lëshimin e kuponëve të turizmit në vlerë prej 12,000 denarë (194 Euro) për persona me të ardhura të ulëta për t’i përdorur ato në objektet e kategorizuara hotelierike për akomodim të vendosura në qendrat turistike në Republikën e Maqedonisë së Veriut që më parë janë raportuar në Ministrinë e Ekonomisë.
Thirrja publike për të aplikuar për një masë të tillë do të zgjasë deri më 30 qershor dhe deri në këtë afat të gjithë qytetarët që plotësojnë kushtet, dmth që nuk kanë të ardhura më të larta se 30,000 denarë do të mund të aplikojnë dhe të marrin kupon. Kuponi për përdorimin e fondeve për pushime të organizuara mund të përdoret deri më 30 nëntor 2021, në një nga objektet hotelierike nga lista e objekteve hotelierike të regjistruara për akomodim.