Puthje nëpër ngjyrat e Kozeta Shytit
Kuzhina e Kozetës është kthyer prej kohësh në një ylber ngjyrash sikur epruvetat e një laboratori magjie të kishin shpërthyer ngjyrë pranverash duke eksperimentuar me bojatisjen e copave me bojë natyrale.
Kuriozë? Ju ftoj të lexoni rrëfimin e saj!
Mbaj mend se hera e parë kur jam hasur me bojrat natyrale ka qënë një orë mësimi mbi Onufrin, kur mësuesi ynë thinjakamur i vizatimit na shpjegonte sesi Onufri krijonte bojrat nga rrënjët, gjethet dhe lulet e bimëve që mblidhte vetë, për të krijuar më pas ikonat.
Për kaq kohë duhet të këtë mbetur diku e fshehur brenda meje sepse mbaj mend që gjatë asaj ore kam ndjerë një lloj magjie të përzier me habi duke menduar proçesin sesi njerëzit mund t’i prodhojnë vetë bojrat e tyre në mënyrë krejt natyrale.
Para pak muajsh, duke bërë disa kërkime mbi punën e hasa sërish si teknikë dhe në këtë mënyrë filloi proçesi magjik i ngjyrosjes së copave në mënyrë natyrale, në një ditë të ngrohtë pranvere, në kuzhinën e shtëpisë sime.
Ngjyrat ose bojrat natyrale mund të përftohen nga bimët, disa lloje insektesh dhe minerale.
Burimi më i madh i tyre janë bimët nga ku ekstrakti mund të merret nga rrënjët, gjethet apo kokrrat, e herë të tjera nga druri apo kërpudhat.
Arkeologët kanë gjetur shenja të ngjyrosjes së tekstileve që në periudhën e Neolitit. Në Kinë janë gjetur të dhëna që ngjyrosja me bimë daton prej më shumë se 5000 vjetësh. Procesi i ngjyrosjes ka ndryshuar shumë pak me kohën.
Shkurtimisht ai konsiston në futjen e tekstilit që do ngjyroset në një enë me ujë të ngrohtë, bashkë me bimën, ngjyrën e së cilës duam të përfitojmë duke e vënë mbi një burim nxehtësie për disa minuta.
Koha në të cilën duhen lënë në enë do të ndikojë në ngjyrën përfundimtare. Nëse tekstili rri për pak minuta ngjyra që do përfitojmë do jetë e lehtë. Nëse rri për një kohë më të gjatë ngjyra do jetë më e fortë. Në fund tekstili lihet për t’u tharë dhe më pas hekuroset në mënyrë që ta mbajë ngjyrën më gjatë.
Kështu kuzhina ime e vogël është kthyer në një laborator ku bëhen eksperimente me bimë dhe lule që i mbledh në kopështin tim, apo shpesh gjenden aty si ushqime të përditshme. Pavarësisht rrëmujës që mund të krijohet, kam gjetur një lloj paqeje dhe një lidhje krejt tjetër me ambientin në këtë proces, ku asgjë nuk shkon më dëm që nga mbetjet e çajit deri te farat e avokadove.
Sa më shumë i afrohem natyrës, Tokës kuptoj se ajo ka qënë shumë bujare me ne dhe na ka dhënë mundësi të pafundme që me pak imagjinatë dhe dashuri mund t’i kthejmë lehtësisht në art, si ngjyra të vogla brenda kryeveprës së saj te paarritshme!





