Puthje nëpër penj / Historia e Kozetës dhe Dorjanit, dy të rinjve që qëndisin bashkë me gjergjefët edhe ëndrrat e tyre
Kozeta dhe Dori jetojnë prej disa vjetësh në Tiranë. Në gjithë rrëmujën e një kryeqendre që nuk di të ndalë, apartamenti i tyre i vogël është një arrati e ëmbël, mes një ambienti që vjen aromë çaji, me gjithfarë bimësh e faqe librash të zverdhur në raftin e drunjtë. Disa prej tyre përdoren për të tharë lulet që vrik më pas varen përmes disa shkopinjve në mur, përkrah një vargu fotosh pa kornizë. Të tjerë libra qëndrojnë si një ushtri në rradhë, në front mbrojtës pas gjysmëtrupave femërorë të qirinjve prej dylli. Të tjerë akoma gjenden poshtë vazove të luleve në parvaz. Janë libra të vjetër shqip, që shërbejnë për t’u treguar zogjve shtegtarë gjithfarë historish të kësaj toke.
Në krah të një makine shkrimi të vjetër bojëbari rrinë kapicë disa gjergjefë me copa të tendosura e gati për punë. Pranë saj edhe një kosh kashte me lëmshet e fijeve në çdo nuancë të mundshme. Aty gjenden edhe syzet e vjetra të Kozetës, me skelet të artë rrumbullak e me bishtin paksa me defekt, që i kërkon prej ditësh. Në tavolinën e punës, gërshërët me formë klasike dhe gjithë takëmet e punës qëndrojnë poshtë një çentroje të punuar me dorë që, po ta lëvizësh pak, dallohen lehtë shenjat rrumbullake të kafes lëpirë nga filxhani i tejmbushur.
Është koha për të nisur të dy punimin e një porosie të re, dhe radios i duhet gjetur patjetër frekuenca e duhur për të kapur tingujt e preferuar. Dori fillimisht vizaton mbi pëlhurë figurën që do të qëndiset. Kjo është punë që e bën mjaft mirë, edhe pse nuk ka përfunduar studimet në këtë fushë. Kozeta ndërkohë ka filluar të qëndisë. Puna për Kozetën vazhdon nën ritmin e ngjyrave që ngjiten lart krenarisht e më pas kridhen në copë për të mbetur qëndrestarë të kontureve, që doemos do të mbushen me ngjyra. Këtij ritmi i bashkohet edhe Dori pasi ka mbaruar së vizatuari dhe serviruri këtë radhë një filxhan kafe mbytur në qumësht, si për mbasdite vonë.
Radioja ndalon për disa reklama e është momenti që t’ia ulin volumin dhe Kozeta t’i kujtojë Dorit një prej atyre bisedave të stërgjata që kanë bërë për gati dy vjet përmes rrjeteve sociale, para se të takoheshin së bashku. Shpesh qeshin e kënaqen tek kujtojnë fillimet e tyre. Kanë tashmë tri vite së bashku, vite plot sfida, gjithsesi nuk ia kursejnë njëri-tjetrit ndonjë ngacmim të vogël. Nuk ka shkuar gjithçka vaj, dhe shpesh, tek bisedojnë, të dy i pushton një heshtje e shoqëruar me një frymëmarrje të thellë e me një buzëqeshje të stërgjatur karshi vështirësive të kaluara tok me sukses. Tingujt e radios sërish dominojnë dhomën e ndenjes.
Pas këtij pushimi të shkurtër, puna fillon sërish me intensitet. Kozeta dhe Dori janë të dy në të njëjtën linjë mendësie, kur vjen puna për të mos hequr kurrsesi dorë nga arti, edhe kur ndonjë tekë porosie qëllon të mos jetë shumë e goditur. Sërish qëllon të kenë një bisedë të shkurtër në kësi rastesh. Këshillimi me njëri-tjetrin është sa i nevojshëm, aq edhe spontan. Të dy nuk tregohen egoistë në shijen dhe përvojën e tyre. Gjejnë gjithmonë një rrugë të mesme, një balancë, si ato ngjyrat pastel të disa fijeve që askush nuk refuzon t’i pëlqejë. Të dy i mbeten besnik filozofisë për të kuruar aq sa është e nevojshme shijet e klientëve, por gjithmonë pa bezdisje e këmbëngulje. Kjo është aftësi artistike e përftuar nga përvoja.
Faqja juaj është një faqe që bën diferencën me të tjerave të ngjashme. Nuk është thjesht një punëdore stisur me fije shumëngjyrëshe por dhe një histori që e shoqëron, një mesazh, një emocion apo një frymëzim që përcillet ndër fjalët e digjiturës. Kësisoj krijohet një copëz arti?
Mënyra sesi ne kemi zgjedhur t’i ndërtojmë mediat tona sociale ka ardhur e gjitha krejt natyrale.
Të dy ne e shijojmë punën e krijuar me shumë kujdes , të shkruarit e digjiturave të gjata, mesazheve që sjellin një frymë pozitiviteti, fotot e bukura. Mendojmë se një punë për të cilën janë dashur orë për ta krijuar duhet të përcillet në mënyrën që meriton, të përçojë të njejtat ndjesi që ka zgjuar brenda nesh krijimi i saj.
Tuajat janë fije e ngjyra që puthen prej shpirti e zor se mund t’i vihet një çmim këtij krijimi. Cila është shpërblimi më i madh që merrni kur e dorëzoni tek porositësi një krijim?
Shpërblimi më i madh që marrim sa herë dërgojmë porosi është kur shohim njerëz që emocionohen nga dhurata që iu është bërë, sepse aty puna jonë e ka arritur qëllimin e saj.
Keni kohë që keni kuruar shijet e atyre që duan të kenë tyren një krijim prej artizani apo që duan ta dhurojnë atë. Çfarë ju bën të jeni këmbëngulës se në fund është arti prej një artisti që duhet të triumfojë përskaj shijeve të porositësve?
Në fillimet tona ka qënë sfiduese sepse kur je një krijues që duhet të suportosh veten me të ardhurat që merr nga arti yt vendosesh para dilemës nëse duhet t’i qëndrosh besnik shijes tënde apo të paguash faturat në kohë. Me kalimin e kohës, me gjetjen e audiencës që e pëlqen stilin tonë por gjithashtu dhe me rritjen tonë si markë është bërë shumë më e lehtë.
Në një pjesë të madhe të kohës klientet e lënë në dorën tonë të gjithë krijimin pasi na kanë treguar disa elemente kryesore.
Ka një formulë të magjishme për të krijuar mes traditës e bashkohores? Ju vetë për cilën ju rreh më shumë zemra?
Formula më e magjishme për të krijuar mes të dyjave mendoj se është kurioziteti.
Me dëshirën për të mësuar, për të krijuar, për të gërmuar nëpër të vjetrën dhe kështu risjellë copëza që mbartin shkrirjen e traditës dhe bashkëkohores .Mahnitemi nga njerëzit që nëpërmjet duarve të tyre kanë aftësinë për të të treguar histori, nëse do doja që emri ynë të mbahej mend vetëm për diçka, do doja të ishte kjo.
Kozeta ti vetë ke filluar eksperimentimin me qirinjtë. Pse t’u desh një tjetër dritë krijimtarie nga e mëparshmja.
Krijimi i qirinjve ka nisur vetëm si një eksperiment, për të provuar diçka të re. Jam shumë kurioze për të provuar shumë lloje artizanati dhe sikur t’i provoj vetëm një herë, të mos më pëlqejnë dhe të mos i bëj më kurrë. Mundësia për t’i provuar më çliron nga ato “po sikur” dhe në të njejtën kohë më nxit akoma më shumë dëshirën për të krijuar, më bën të ndihem e lirë.
Deri tani me qirinjtë po mësoj shumë, po e shijoj procesin dhe po mendoj sesi t’i sjell në një mënyrë kuptimplotë. Dëshira ime për t’i sjellë produktet më shumë se vetëm diçka zbukurimi më bën një “shitëse” të keqe por të paktën kam vizion afatgjatë.
Si e mendoni të ardhmen e kësaj pune, planet më të afërta që keni së bashku?
Tani jemi pikërisht në atë fazën e kthesës, kemi marrë një ambient që po e kthejmë në studio, po krijojmë bashkëpunime me artizanë të tjerë dhe po punojmë për disa produkte të reja.
Nuk jemi akoma të qartë sesi e gjitha do shpaloset, por jemi të sigurtë që është veç fillimi i një kapitulli të ri dhe shumë të bukur.
….
Puna u është bërë rutinë, tashmë për 12 orë gjatë ditës. Kjo punë u është kthyer në profesion dhe është e vështirë të shkëputen prej saj, edhe nëse një mundësi do të ishte t’i dedikoheshin një profesioni për të cilin kanë studiuar. Të ardhurat nga kjo punë janë normale dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse. Ata nuk ankohen, porse, as nuk bëjnë kompromis me cilësinë e punës së tyre dhe as nuk e nënvlerësojnë punën e lodhjen që kanë. E me sa duket janë të kënaqur dhe po shijojnë, jo vetëm frytet e punës, por edhe ndërlidhjen njerëzore me klientët. Kjo është arsyeja pse në çdo rast Dori i kryen vetë dorëzimet e porosive në Tiranë.
Kozeta dhe Dori kanë plane modeste të thurura së bashku për të ardhmen. Një studio të vogël ku të përfshihen edhe qëndistarë të tjerë. As që mendojnë e ua kanë zilinë gjërave të mëdha. Vazhdojnë t’u gëzohen porsi ditën e parë lumturive të vogla të çdo dite. Një shëtitje e një piknik në park, një shkuarje te familjet në qytezat e tyre, një vizitë në muze, gjurmimi i librave të vjetër që shiten në trotuar apo një kafe në një qoshkë të harruar kafeneje, nën hijen e një vile të vjetër tiranase. Këta janë Kozeta dhe Dori, dy të rinjtë që puthen mes penjve dhe një historie të bukur dashurie e krijimtarie. Si ato të epokave të librave të tyre të zverdhur.