Rëndësia e biodiversitetit
Biodiversiteti është shumëllojshmëria e specieve, midis specieve dhe ekosistemeve. Këto organizma të gjallë përmes aktiviteteve metabolike mundësojnë jetën në planetin Tokë. Për herë të parë termi biodiversitet është përdorur në vitin 1968 nga Raymond F. Dasmann, përdorimi i saj nisi të rritej në 1980 kur Thomas Lovejoy e përdori në parathënien e librit “Conservation Biology”.
Biodiversisteti është i rëndësishëm për disa arsye:
- 80% e furnizimit me ushqime vjen nga 20 varietete bimësh dhe 40,000 specie.
- Përveç ushqimit siguron materiale dhe ndikon në ekonomi.
- Studimi i biologjisë dhe gjenetikës së bimëve dhe kafshëve ndihmon fushën e mjekësisë për kurimin e sëmundjeve.
- Biodiversiteti mundëson shërbimet ekologjike nga pastrimi i ujit deri te sigurimi i oksigjenit.
- Biodiversiteti lejon përshtatjen e ekosistemeve.
- Diversiteti gjenetik parandalon sëmundjet dhe ndihmon speciet të përshtaten me ndryshimet në mjedisin e tyre.
Biodiversiteti në Shqipëri
Pozicioni gjeografik, relievi dhe klima e favorshme në Shqipëri krijojnë larmishmëri dhe biodiversitet në ekosistem. Në Shqipëri gjenden 30% e specieve bimore europiane dhe 42% e gjitarëve europianë. Por sot Shqipëria ka nivelet më të larta të humbjes së biodiversitetit në Europë. Shpyllëzimi, ndotja dhe erozioni i tokës po kërcënojnë biodiversitetin. Mungesa e ndërgjegjësimit dhe shfrytëzimi pa kriter po e përkeqëson raportin midis njeriut dhe natyrës duke rrezikuar humbjen e vlerave të tyre.
Aleksandra Stambolliu