Rranjët mbi Kalldrëm dhe Gurët e Vetmuar të Orës së Ligë… ose pak muhabet me Tom Kukën
…sot, fjalët nuk mjaftojnë për t’i përshkruar ndjesitë që të tre librat e Tom Kukës përcjellin tek lexuesi. Zaten që kur panë dritën e botimit, të tre sosh shqipes dhe shqiptarëve i falën shpluhurosje, udhë të reja për kah Dashnia edhe një grusht mall për kthimin tek Vetja.
- Tom, emri yt m’i kujton qoshet ma shpirtnore të shqipes dhe shqiptarëve. I ke bojatisun kohnat, tek të tre librat krejt mahnitshëm. Ku e ka fillin nyja e zemrës?
Për të arritur që të shkruaja këto libra dhe besoj se edhe librat që do vijnë pas, më është dashur një periudhë shumë e gjatë kohe, për tu shkëput nga idetë e gabuara që kur ne lindim, lindim pa rrënjë dhe në një kohë të re. Në fakt më është dashtë kohë, më është dashtë punë, më është dashtë me lexu dhe me e kuptu në radhë të parë vetën, që askush nga ne nuk është pa rrënjë. Momentin që ti kupton rrënjët e tua – në këtë moment ti ke kuptuar se ku të rreh zemra dhe pastaj puna bëhet më e lehtë sepse sot duket sikur ato kohë që unë përshkruaj janë të mahnitshme por në fakt janë kohët që kanë jetu njerëzit tanë, të mëparshmit dhe në një farë mënyrë që ti ke jetu nëpërmjet mishërimit tek ta.
- Ti i shpalos rrënjët e këtij populli fatpak me një delikatesë të fisme. Ç’simbolizojnë trevat tona tek ty? Ç’të mbanë kaq fort lidhur me to?
Rrënjët kanë shumë rëndësi. Nuk ka rëndësi cili është fati i një populli. Në përgjithësi popujtë kanë fate tragjike sepse ata të cilët kanë lëshu rrënjë në Tokën e tyre kur i largojnë jua shkulin rrënjët dhe nuk ka gjë më të dhimbshme. Po të futemi në botën e bimësisë e kuptojmë shumë mirë që një bimë e shkëputun nga rrënjët, vdes. Edhe sikur ta qosh bimën në një Tokë tjetër ka gjasë që farat që do bëj të jenë më të këqija se ato që do bënte në Tokën e vet. Prandaj në këto raste unë dua a s’dua nuk mund të shpëtoj dot. Nuk i shpëtoj dot origjinës time. Nuk i shpëtoj dot kombit tim. Nuk i shpëtoj dot krahinës time sepse edhe sikur të dua unë të iki, janë ata që më tërheqin fort nga pas dhe e kam të pamundur me u largu nga historia e së shkruarës, të cilën ndoshta unë nuk e kam jetu por thjeshtë e kam dëgju, madje të pamundur do ta kenë edhe fëmijët e mi largimin nga historia ime edhe nipërit, e kështu me radhë. Tek e fundit kjo Tokë, ky vend, ky komb është aq i lashtë sepse është mbajtë nga rrënjët!
- Historitë që derdhën nëpër faqe librash janë diçka mes ëndrrës dhe përrallës. Tom, ku me e dallue fijen mes tyne?
Unë mendoj që nuk duhet me e dallu! Unë mendoj që ëndrra, përalla, rrëfimi duhet të mbetën njësh. Kur e kam shkrujtë nuk kam dashtë që ta dalloj sepse mendoj që njerëzit jetojnë dy realitete: një është realiteti i tyre i përditshëm, tjetri është një realitet historik që ata e kanë gjithsecili, duke e tërheqë me vete a duke e pasë si një torbe, sikur me e pasë një trajsë që e kanë vënë në shpinë. Prandaj, ëndrra, përralla, rrëfimi, magjia që krijohet nëpërmjet tyre sipas meje është vetëm një, – jeta jonë nuk është thjeshtë një jetë e përditshme, konkrete por është edhe një jetë që i përket ëndrrës, përrallës. Madje i përket edhe besimit dhe i përket edhe të Mbinatyrshmes. Prandaj pse duhet ta shuajmë vetën?!
- Historitë mrena librave të Tomës janë histori të gdhenduna në fate njerëzish. Kalojnë prej t’shkuarës kah e sotmja, me synin Përtej … si puqet njerëzimi aq kollaj?
Historia jonë që ndodhet brenda të gjithë librave duhet parë me kujdesin e atyre që e kanë bërë. Pra nëse do të kuptosh një histori duhet të kuptosh patjetër njerëzit dhe nëse kupton njerëzit pastaj kupton edhe pasojat. Sot p.sh. që Shqipëria a shqiptaria ndodhet në këto lloj zhvillimesh, që ta kuptojnë 100 % duhet të shkojmë patjetër shumë kohë më mbrapa për ta kuptu se si na e kanë trajtu prindërit këtë Shqipëri; si e kanë trajtu gjyshërit; si po e trajtojmë ne?! – dhe duke i njohur ata, duke i njohur njerëzit ne kuptojmë shumë mirë se cilat janë gabimet dhe përse fatet tragjike përsëriten! Është shumë e vështirë që historia të kuptohet pa njerëzit sepse unë nuk mendoj që historia është vetëm data dhe ngjarje, mendoj se historia është karakter, është fat, është deri diku edhe fiction! Prandaj nganjëherë thuhet që shkrimtarët e shpjegojnë më mirë historinë se historianët!
- Kush i rrok librat e Tomës takon dimensione të harrueme të kulturës, të traditave e zakoneve. Ndoshta ti po i çplon ca ndjesina të mohueme?
Shqiptarët veçanërisht por edhe ballkanasit, megjithatë mua më interesojnë shqiptarët, janë një popull që kanë rrënjë të thella në paganizëm dhe është shumë e vështirë që ta shpjegosh mënyrën se si shqiptarët kanë doket e zakonet e tyre apo se si e përjetojnë shumë shpesh edhe besimin e tyre fetar! Shqiptarët i kanë ndryshu besimet monoteiste në bazë të traditave dhe zakoneve të tyre. Prandaj ndryshe i kanë përjetuar besimet duke mos i lënë mënjëanë edhe zakonet e traditat. Këto dimensionet (që ne ndonjëherë i konsiderojmë të harruara) të kulturës, traditave e dokeve tona në një farë mënyrë krijojnë identitetin tonë. Do më thënë, përse dallohet një shqiptar, fjala vjen nga një grek, nga një turk, nga një serb apo nga një francez e italian?! Natyrisht se dallohet prej traditës së tij dhe tradita shqiptare është traditë e cila vjen nga lashtësitë, vjen nga mitet që kanë kaluar këtë Tokë përpara së këtu të mbërrinin besimet monoteiste. Janë aq të forta këto mite saqë shpesh ne i gjejmë në përditshmërinë tonë, i gjejmë tek mënyra se si na gatuan gjyshja sillën apo tek mënyra se si kremtojmë festën e verës. Pra, janë të gjitha këto gjëra që përbëjnë identitetin tonë por nuk përbëjnë të keqën tonë, përkundrazi.
- Duket sheshit dashnija e madhe që Toma ka për sofrën, qilarin, për Tokën e begatitë e saj. Si janë mbrumun erëzat e kësaj kopshtnaje tek ty?
Të thash qysh në fillim, për të shkruajtë librat duhet të shkëputesha e të fitoja lirinë nga ideja marroke që çdo njëri e fillon historinë nga e para meqë shpesh herë për ta filluar nga e para ka shumë njerëz që duan të harrojnë Tokën, të harrojnë atdheun dhe duan të bëhen nganjëherë njësh me atë shprehjën e famshme “më katolik se Papa” … duhet të keni parasysh një gjë; nëse ti e kupton origjinën tënde, ti mbi të gjitha je i sinqertë me vetën tënde dhe ke kuptu sa madhështor je! Pastaj madhështia e çdo personi sipas meje vjen pikërisht tek sofra, tek qilari, tek zakonet e vogla, tek rrëfimet e vogla, tek buzëqeshjet e vogla, te shenjat apo tek gjestikulacionet që gjithsekush ja kupton tjetrit kur është nën një çati. Pra, dikur ka pasë një shprehje, që atdheu fillon nga shtëpia jote. Po e pe pikërisht atje atdheun dhe po e dëftove pikërisht atje edhe ndjesinë kombëtare ke për të parë që në fund fare, gjithsecili nga ne ka për të qenë një njeri i madh!
- Mos me pasë qenë Toma, kishe me u ba Toma! Kështu flet lapsi yt … çfarë i mungon kohës dhe botës sonë?
Me thënë drejtën e kam të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjes sepse e mbanë në pjesën e parë një vlerë të pamerituar për mua, por gjithsesi … them që kohës tonë dhe botës tonë i mungon njeriu! Dhe jo njeriu si qenie fizike, as njeriu si qenie morale por njeriu origjinal, njeriu që i shfaqet botës me të gjitha të mirat dhe të këqijat e veta. Njeriu i ndershëm, ai që nuk e fsheh vetën pas gishtit; jo ai apo atij që i pëlqen më tepër ta gënjejnë. Nëse këto libra ndihmojnë për të rizbuluar njeriun, duhet të jem thjesht i lumtur.
- Sa e zorshme është balancimi dhe Harmonia mes shkronjave, Tokës, Harresës, Kujtimeve, Mallit dhe Amanetit për me e rrokun të Mirën?
Nuk është i zorshëm ky lloj ekuilibri. Është gati – gati i pamundur sepse në radhë të parë kur ti do të shkruash për një temë të caktuar duhet të mundohesh që mos të urresh ti në radhë të parë dhe pastaj duhet të mundohesh të bësh një gjë akoma më të vështirë, evqë është më e vështirë sesa urrejtja! Praa, me dashtë!!! Dhe të duash një armik – është e pamundur, prandaj shpesh herë ne kur lexojme tekste që i përkasin historisë dallojmë patetizma, dallojmë moralizma por nuk dallojmë asnjëherë dashni. Dhe kjo Tokë, kam përshtypjen se ka më tepër nevojë për Dashni, jo për harresë!
Na s’duhet me harru asnjëherë sepse e vetmja mënyrë për me dashtë është mos me harru, madje edhe armikun mund ta duash më tepër në momentin që nuk ke harruar se cfarë të keqe të ka bërë. Kështu duhet të kalosh malin. Dhe kështu duhet të kalosh edhe mbi vetvetën. Ndërsa duke mos harruar plotëson amanetin sepse porosia që të ka lënë ai që ka qenë përpara teje mund të jetë shumë e ngjajshme me porosinë që do lësh ti mbasi të ikësh! Kështu ti duke futur dashurinë në mes mund t’ja dalësh mbanë që të përqafosh të mirën!
Por kam frikë se ne i përkasim brezave që nuk kemi për ta përqafu kurrë.
Nga Fjolla Spanca