Rreziku nga përtypja e çamçakëzit

Mijëra vjet më parë njerëzit përtypnin çamçakëz natyral. Llojet më të përdorura ishin rrëshirë peme, barishte, gjethe ose dyllë. Në 1848 u krijua dhe u shit çamçakëzi i parë me rrëshirë bredhi nga John Bacon Curtis dhe prej asaj kohe nisi evolucioni i historisë së çamçakëzit të ditëve të sotme.
Përtypja e çamçakëzit ka efekte pozitive dhe negative në varësi të llojit që zgjidhni dhe sesa e përdorni. Nëse përtypni vazhdimisht çamçakëz me përmbajtje sheqeri jeni të rrezikuar nga dëmtimi i dhëmbëve. Por nëse përtypni çamçakëz pa sheqer, me përmbajtje xylitol parandaloni rritjen e baktereve që dëmtojnë dhëmbët.
Efekte pozitive:
Përtypja e çamçakëzit ju ndihmon që të përqendroheni dhe të jeni më të qetë.
Përtypja e çamçakëzit pa sheqer midis vakteve pastron dhëmbët, largon aromën e keqe dhe freskon gojën.
Efekte negative:
Përdorimi i tepërt i çamçakëzit shkakton probleme në sistemin tretës, ka efekt laksativ dhe gërryen dhëmbët sepse përmban ëmbëlsues.
Përtypja për një kohë të gjatë shkakton probleme me nofullën dhe dhimbje koke.
Përmbajtja e gomës sintetike shkakton probleme shëndetësore.
Kujdes! Nëse keni mbushje amalgame që përmbajnë mërkur dhe përtypni çamçakëz shpërndani mërkurin në trup. Nivelet e larta të mërkurit në trup sjellin çrregullime mendore, probleme neurologjike dhe shëndetësore.
Aleksandra Stambolliu