Rritje masive e çmimeve të ushqimeve
Prej muajsh tashmë sa andej e sa këndej, dëgjohen si nën zë qytetarët e këtij vendi shpresëpak teksa ankohen për rritjen e çmimeve të ushqimeve. Megjithatë ky shqetësim apo fenomen post-pandemik ka prekur e shkundur thuajse mbarë globin.
Për rritjen e çmimeve të ushqimeve në tregjet botërore raporton edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Në Maj, rritja në krahasim me muajin Prill është me 4.8% duke shënuar rritjen më të shpejtë mujore në më shumë se një dekadë. Indeksi i Çmimit të Ushqimit ishte mesatarisht 127.1 pikë në Maj, vlera e tij më e lartë që nga shtatori i vitit 2011 dhe 39.7% më e lartë sesa në majin e 2020-tës. Sipas ekspertëe rritja e shpejtë e cmimeve është nxitur nga rritja e çmimit të vajrave, sheqerit dhe drithërave, së bashku me çmimet e larta të mishit dhe produkteve të qumështit.
Kurse sipas Instituti i Statistikave të Indeksit të harmonizuar të çmimeve (HICP) krahasuar me vendet e Evropës, Shqipëria zë vendin e tretë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, me specifikisht bëhet fjalë për një rritje prej 4.8% duke lënë pas vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Këto statistika tregojnë se në Shqipëri çmimet janë rritur më shumë se dyfishi i mesatarës së vendeve Europiane. Serbia renditet e 9-ta për sa i përket rritjes se këtij indeksi në -grupin ushqime- dhe kjo si pasojë e politikave të duhura, të aplikuara në kuadër të covid-19.
Çdo rritje e çmimeve të ushqimeve përben shqetësim serioz për vendet si Shqipëria, nëse kemi parasysh faktin se 41% e shpenzimeve të familjes shqiptare shkojnë për ushqim kundrejt 13% të mesatares së familjeve evropiane.
Humbja e vendeve të punës, rritja e çmimeve të ushqimeve, tkurrja e mundësive si dhe keqmenaxhimi i ekonomisë post-pandemi ka dhe do të vazhdoj për shumë gjatë të ketë ndikim tejet të madh në jetën e plot familjeve shqiptare, por jo vetëm! Madje mjekët ngrejnë alarmin se kjo krizë ka për t’u shoqëruar dhe me probleme e shqetësime mendore, të cilat do t’i kushtojnë goxha shumë shëndetit mendor e fizik të qytetarëve mbarëbotëror!