Rruga që trasformoi fshatin
Fshati Kuç është vendbanimi në zemër të Labërisë, me popullsi 3000 banorë. I shtrirë në në Kurveleshin e poshtëm, atje ku ka zanafillën e vet lumi i Shushicës, njohur edhe si lumi i Vlorës. Qëndron në fillim të luginës së Borshit, e cila zgjatet në pjesën jugore përgjatë detit. Që prej periudhës së mesjetës së vonë mori dimensionet e një qendre të rëndësishme urbane për tërë krahinën.
Njerëzit jetojnë me anë të mbarështrimit të bletëve, prodhimit të mjaltit, bujqësisë, aktiviteteve turistike (bujtina) dhe disa të tjera si: prodhim vaj ulliri, bulmeti, bimë medicinale etj. Janë të kultivuara në mënyrë individuale pemët frutore, sidomos arrat, frutat e thata, bimët medicinale dhe prodhimet bujqësore biologjike.
Në dy shekujt e fundit një vend të dukshëm mori tregtia, mullinjtë për drith, përpunimi i leshit, tejzgjahu, etj. Kuçi është një fshat ku peshë të madhe zë krenaria për vendlindjen, besimi në liri. Bashkë me karakteristikat e tjera që performojnë dhe mishërojnë kuçjotin apo labin në përgjithësi është dhe kënga polifonike, vallja dhe mënyra e interpretimit të saj. Kryesisht aktivitetet ekonomike janë në fushën e blegtorisë së imët, gjithsesi nuk janë në përdorim të plotë. Konsumi aktualisht është i brendshëm, në territor të afërt gjeografikisht. Tek Buronjat gjen pellgje ujore rrethore me rezervuare uji të mbushur me peshq, të cilat përdoren në akuakulturë.
Deri në Gjorm rruga është e asfaltuar dhe me gjithë standartet e duhura. Më pas vijon me shkëputje për shkak se punohet me disa fronte. Përgjatë Rrugës së Lumit të Vlorës, Gusmar , Kuç, Bençë e deri në Lekdush vazhdohet të punohet me disa kantierë ndërtimesh, për të lidhur këtë segment me fashatin Qeparo e rrugën e Bregut.
Zona që më herët janë rrahur më së shumti nga alpinistë kuriozë e guximtarë do të zbulohen për të gjithë publikun, përmes krijimit të aksesit mes maleve dhe në kohë të shkurtër për automjetet dhe këmbësorë. Të dyja janë investime që do t’i japin jetë lidhjes së turizmit bregdetar me atë malor.
Këto ndërhyrje sjellin një kombinim midis ndalesave në destinacionet historike e kulturore të Gjirokastrës e Tepelenës që do të pasojnë me bregdetin e bukur jonian. Zhvillim i cili nuk do të ngelet vetëm në industrinë e turizmit, por edhe në atë bujqësor e blegtoral. Kjo pasi do t’u japë fermerëve mundësinë për të nxjerrë më lehtë dhe shpejt produktet e tyre bio në zonën e Bregut.
Shfrytëzimi përgjatë gjithë vitit, për shkak të klimës do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e ekonomisë lokale, duke nxitur iniciativa afatgjata dhe premtuese në agroturizëm. Prej transformimit të shtëpive të vjetra në bujtina apo ndërtimin e strukturave hoteliere rurale janë disa nga planet paraprake të banorëve apo sipërmarrësve që do të vihen në zbatim me përfundimin e këtyre kalimeve turistike në zonën e jugut.