Rrugicat shkodrane n’biçikletë na i rrëfen Gjoana Leka
Ndoshta ajo mbasdite veret para nja dy dekadash nuk ishte krejt e duhuna, por shendi i një fëmije nuk ndalet. Edhe sot e kësaj dite më ka mbetë në gjunin e djathtë shenja prej rrëzimit ndërkohë që mësosha biçikleten në troturarin para pallatit me fëmijët e lagjes, e veshun me fustan.
Pothuajse t’njejtën ndjesi kam përjetue edhe para do vjetësh, kur i mësueme nji shoqes biçikleten për herë t’parë, por kyt herë n’rrypinen e ngushtë para oborrit e me ma kujdes.
Thojnë që shendi asht i vërtetë veç kur ndahet me të tjerët, kështu që po ju ftoj për nji xhiro me biçikleta n’rreshtat n’vazhdim në qytetin që lëvizë mbi dy rrota.

Gjatë viteve t’komunizmit, lëvizja me biçikletë në nji farë mënyre ka kenë ndër mënyrat e vetme t’lëvizjes në qytet, por ajo ça e ban t’veçantë Shkodrën asht ruejtja e kësaj tradite e ushqyemja e saj me dashni edhe mbas viteve ’90, tue e rënditë kështu si qyteti me numrin ma t’madh të pedaluesve në Europen Juglindore e ndër qytetet me përqindjen (29%) ma t’naltë të përdoruesve të biçkiletës në Europë.
Si pjesë e personave që vazhdojnë me i dhanë dashni kësaj tradite, kur më duhet me dalë me krye punët e pazaret e ditës, ma ka anda me i ra me biçikletë rrugicave, jo vetëm për me shmangë makinat, por me shijue tingujt e paqtë të qytetit t’përziem me aromen e ngjyrat e luleve që varen avullive e dyerve.
Pak metra mbas shpisë më takon me kalue përballë shpisë dykatëshe së Nenshatëve, fotografëve të qytetit, që fillon me nji drandofil ngjyrë portokalle në njenin cep e mbaron me erën dehëse të jaseminit në cepin tjetër, për me i lanë vend luleviles me ngjyrën e ambël violë në shpinë njitë.

Kjo rrugicë më nxjerr në Sarreq, në lagjen karshi Kishës së Madhe me oborret me marangja me vazhdue rrugën drejt Gjuhadolit, ku n’rrugicat e Gurazezve e Gurakuqve të duket vedi si n’tregimet e Koliqit, tue pritë me shkëmbye ndoj shikim a me i vjedhë ndoj buzëqeshje kohës së ndalun mbas mureve mbulue me sharmashek.
Pak ma andej te Dugajtë e reja asht një biçiklist, te i cili ndalem me i shtrëngue frenat biçikletës, kur më bjen rruga e kanë nevojë. Çdo lagje n’Shkodër ka mjeshtrin e vet të biçikletave e çdo biçiklist ka myshterinjtë e tij.

Rruga m’çon në librarinë aty afër ku fillon pazari për mendjen e shpirtin për me vazhdue rrugën drejt anës tjetër të qytetit tue kalue karshi xhamisë me oborrin plot lule si kopsht botanik.
I drejtohem një prej tregjeve n’shoqninë e zileve t’biçikletave të shumta në ato orë për me mbushë koshin e biçikletës me zymbyla, karajfila qindsh, luleborë, zambakë e lulevath, lulet që s’duhet me të mungue n’oborr.

Aromat e kafës së blueme, furrave të bukës e luleve që duken se rroken në ajër me njena-tjetrën, më shtyjnë rrugicave që ta kënaqin synin me drandofilet e kuqe të Stambollit me petalet tanë tul e më përcjellin për në shpi tue më lanë në dorë të disa rrugicave tjera të Arrës së Madhe.
Në kthim shpejtësia e kambëzave të biçikletës ngadalësohet për me shijue me andje lulet e dimnit në dy prej shpiave të asaj rrugice e me mujtë me këputë ndoj nespull në pemën aty afër që nxjerr kryet në trotuar si me dashtë mos me të lanë me kalue pa të dhanë karshillek.
Me kyt përshëndetje t’ambël përfundon xhiroja me biçikletë nëpër rrugicat e qytetit që i ka gjithmonë dyert hapë me ju pritë n’oborret e tij plot urti e shurup drandofilesh e me ju përcjellë me nji tufë lulesh tanë ngjyra e erëmirë.


