Shqipëria, gratë dhe ekonomia / Një bashkëbisedim i vyer me Jorida Tabakun
Jorida Tabaku është një grua e rrallë, që sapo e takon të mbërthen me urtësinë, diturinë dhe maturinë e fisme. Ajo vjen nga dy familje me lidhje të forta me qytetin e Tiranës, familja Tabaku dhe Turdiu. Është shkolluar në Fakultetin e Ekonomisë, në degën e Menaxhimit, kurse studimet Master (MBA) i ka kryer në Mbretërinë e Bashkuar me rezultate të shkëlqyera. Pas eksperiencës në Mbretërinë e Bashkuar, Jorida rikthehet në Shqipëri për të vazhduar karrierën e saj në fushën e pedagogjisë pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Paralelisht qe përfshirë edhe në politikë. Njëkohësisht ka dhënë një kontribut të madh edhe në fushën e Menaxhimit të Financave Publike, përmes projektit britanik REPIM.
Jorida mban gradën Doktor Shkencash në Ekonomi. Fokusi i studimeve të doktoraturës ka qenë sipërmarrja dhe menaxhimi i biznesit të vogël, si dhe qeverisja e koorporatave, temë kjo që ka influencuar jo pak në qasjen e saj ndaj ekonomisë dhe politikave ekonomike. Ndër shqiptarë, Tabaku njihet për angazhimin e saj dinjitoz në jetën akademike dhe politike.
Ndonëse e mbytur me punë dhe me dhjetëra angazhime, Jorida për habinë tonë gjeti kohën e tejçmueshme për të zhvilluar një bashkëbisedim të vyer. Tabaku me përkushtimin, profesionalizmin, përgjegjësinë dhe maturinë e sojshme, shpalos pareshtur fije shprese për Shqipërinë tonë kaotike
Tri problemet kryesore që e kanë gjunjëzuar ekonominë shqiptare?
Jorida Tabaku: Kriza ekonomike që ka prekur vendin e gjen shkakun e saj te një ekonomi e bazuar në favorizim fiskal dhe ligjor për një grusht individësh apo biznesesh, duke prodhuar monopole apo oligopole që bien në kundërshti me tregun e lirë dhe konkurrencën. Në 8 vjet kemi parë një Parlament të shndërruar në noter të qeverisë, dhe një qeveri të shndërruar në përkthyese të dëshirave të vetëm një grushti njerëzish, në kurriz të shumicës.
Së dyti, mungesa e parashikueshmërisë, sidomos në politikat fiskale dhe ekonomike të vendit. Parashikueshmëria, sidomos në politikat fiskale, e ka larguar Shqipërinë nga vëmendja e investimeve të huaja direkte dhe nga mundësitë që ato ofrojnë. Shumë kompani serioze janë vendosur në Maqedoninë e Veriut ose në Serbi, ndërkohë që vendi ynë mbetet një parajsë për monopolet. Mungesa e një politike fiskale në shërbim të zhvillimit ka ndikuar negativisht në rritjen e investimeve, e për rrjedhojë në rritjen e punësimit dhe të zhvillimit të kapitalit në Shqipëri.
Vizioni i ndërtuar mbi një ekonomi betoni. Fatkeqësisht, Shqipëria e post 2013-s u ngrit mbi parimin e një ekonomie të ndërtuar mbi betonin dhe jo të ekonomisë familjare. Vendet si Shqipëria, me një sipërfaqe të vogël, shumicën e sipërmarrjeve i kanë të vogla. Bizneset e vogla në vend u sulmuan nga qeveria përmes politikave fiskale dhe represive të tatimorëve në kurriz të zhvillimit të tyre. Si rrjedhojë familjet shqiptare përfituan gjithnjë e më pak nga të ardhurat, konsumi u ul gjithnjë e më shumë, duke sjellë një krizë të theksuar në xhiron ditore dhe vjetore të bizneseve.
Cila është pesha e ekonomisë lokale?
Jorida Tabaku: Ngërçi ekonomik që ka kapluar vendin po thellohet dhe problemet strukturore të ekonomisë shqiptare, sidomos këto 8 vite, rrezikojnë të sjellin një diferencë më të madhe mes të pasurve dhe të varfërve. Ky ligjërim nuk duket se i takon një politikaneje të djathtë sipas mediave mainstream, por në fakt nuk është kështu.
Sot, vendi jo vetëm nuk është lider, por nuk është as konkurrent në ndonjë sektor të ekonomisë. Nëse vende si Serbia apo Maqedonia e Veriut janë duke u kthyer në qendra të zhvillimit të ekonomisë së teknologjisë, ne nuk jemi kurrkund në hartën e investitorëve të huaj.
Sakaq investimet në fushën e semikonduktorëve, që janë një nga risitë e ekonomisë moderne, janë thuajse inekzistente në vend. Maqedonia e Veriut po bën hapa përpara në këtë sektor, ndërkohë që Serbia është kthyer në qendrën e zhvillimit të ekonomisë së teknologjisë së informacionit dhe të rrjetit 5G për rajonin.
Nuk duhet të harrojmë që ekonomia jonë nuk po përthith as investime serioze nga BE-ja dhe partnerët tanë strategjikë. Kjo do të thotë që ne mbetemi në fund, edhe për përthithjen e granteve që na bëjnë më të konkurrueshëm dhe na fusin në hartën e investimeve të këtyre vendeve. Kjo rëndon mbi kurrizin e ekonomisë sonë dhe në xhepin e çdo shqiptari e familjeje shqiptare.
Tri udhët e para që i duhen çelur këtij vendi?
Në planin ekonomik duhet ambicia për të dyfishuar të ardhurat për frymë të shqiptarëve e që lidhet drejtëpërdrejtë me një familje të shëndetshme, që përfiton nga politikat ekonomike dhe fiskale.
Është e nevojshme së pari disa ndryshime rrënjësore në mjedisin ekonomik ku sot favorizohen disa individë dhe sektorë, ndaj duhet të ndërtuar një treg konkurrues. Po aq sa është e nevojshme të ndërtohet një politikë fiskale dhe ekonomike të parashikueshme. Kësisoj investitorë të huaj mund të kenë mundësi të aksesojnë tregun vendas.
Këto dy hapa do ta çlirojnë tregun nga dara e monopoleve dhe oligopoleve, duke i dhënë oksigjen konkurrencës. Konsumi gjithashtu duhet të rritet si pasojë e uljes së taksave, sidomos taksës mbi fitimin, të ardhurat personale nga rroga, dividentin dhe çdo të ardhur tjetër.
Sakaq, edhe turizmi mbetet një fushë prioritare e ekonomisë e që është është konkretisht një nga sektorët më të prekur nga pandemia. Ulja e TVSH-së vetëm për këtë sektor, në të gjithë llojet e sipërmarrjeve të turizmit, do të stimulojë rritjen e të ardhurave dhe gjithashtu do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.
Subvencionimi i bujqësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë te fermeri, pa futur hallka ndërmjetëse, do të incentivojë investimet ashtu siç duhet dhënë drejtim shqetësimit parësor në bujqësi në këto 30 vite: fragmentarizimi i tokës.
Së fundi, ndonëse kam dalë me më shumë se 3 udhë më sipër, fokusi duhet të jetë biznesi familjar dhe shtresa e mesme. Përditë e më shumë shohim shqiptarë të shtresës së mesme të përbuzur dhe të taksuar më rëndë se të gjithë. Mungesa e mobilitetit social, mungesa e frymëmarrjes nga taksat e larta dhe projektimit të së ardhmes për shkak të të ardhurave të ulëta janë faktorë negativ. Politikat fiskale ndaj biznesit të vogël dhe gjithashtu ndaj shtresës së mesme duhen të jenë në ballë të reformave që i duhen Shqipërisë.
A është e vështirë të jesh grua në politikë?
Do të gënjeja nëse do të thoja që nuk është e vështirë. Personalisht jam ndër ato zonja që nuk e preferoj kuotën gjinore në politikë, mendoj dhe besoj se zonjat kanë mundësi që të ecin përpara, edhe pa nevojën e kuotave. Ajo çka na duhet është mundësia e barabartë.
Mjedisi politik në Shqipëri, si çdo mjedis tjetër, është tejet toksik, dhe kjo e bën qëndrimin aty të vështirë, por jo të pamundur. Natyrisht ka shumë rëndësi karakteri i gjithsecilit dhe, sa më shumë të përpiqen të të thyejnë, aq më e fortë duhet të jesh për t’u përgjigjur.
Personalisht jam përpjekur dhe do të vazhdoj të luftoj me qytetari në çdo debat politik, brenda apo jashtë parlamentit. Jam e bindur që në fund të ditës qytetaria, argumenti dhe retorika jo mbi baza fyese, por komunikuese i shërbejnë jo vetëm politikës, por edhe asaj që prodhon ajo. Përherë i kujtoj vetes se, nga dita në ditë, janë 3 fëmijët e mi që do të më shohin dhe do të më gjykojnë për aktet e mia publike.
Sfidat kryesore të grave në Shqipëri?
Jorida Tabaku: Pa dashur të viktimizohemi, por në realitet vuajmë dyfish më shumë thuajse çdo sfidë që vuajnë meshkujt në këtë vend. Por kjo nuk duhet të na frikësojë dhe as të na largojë nga punët tona.
Historia na mëson se pa përpjekje, nuk ka çlirim dhe as një jetë më të mirë. Shihni pak se çfarë ka ndodhur në Shqipërinë e post 1945-s: një zonjë e nderuar si Musine Kokalari u dënua për shkak të mendimeve të saj. Na u desh shumë kohë që ta njihnim realisht figurën e saj, por sot ajo është mes nesh, dhe mësimet e saj duket se jehojnë.
Sado e vështirë të jetë kjo epokë për Shqipërinë dhe për zonjat shqiptare nuk duhet harruar që përpjekja duhet të vazhdojë. Ne u kemi borxh të parëve tanë përmbushjen e amanetit, ndërkohë u detyrohemi fëmijëve tanë ndërtimin e një vendi më të mirë për to.
Roma nuk u ndërtua në një ditë, thotë një shprehje e vjetër. Aq më pak Shqipëria jonë e bukur.
Bisedoi Fjolla Spanca