Shqipëria ende pa një minimum jetik zyrtar
Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan dhe Europë që ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht një minimumin jetik të popullsisë. Studiuesit e ekonomisë pohojnë se, bazuar në vlerësimet e Bankës Botërore, afro 40 për qind e popullsisë jetojnë në kufirin e minimumit jetik.
Ata pohojnë se qeveritë shqiptare nuk e studiojnë zyrtarisht minimumin jetik, për t’ju shmangur detyrimeve, që lindin nga skemat e kompensimit të varfërisë. Edhe sot 3 dekada pas kalimit nga ekonomia e centralizuar e diktaturës komuniste në ekonominë e tregut të lirë asnjë qeveri shqiptare apo shumicë në pushtet nuk kanë vlerësuar zyrtarisht minimumin jetik të popullatës.
Të dhënat e mirëqenies në anketa që publikon Instat, thonë ekspertët, nuk bazohen në metodat e studimit të minimumit jetik. Mjeti i vetëm i matjes së varfërisë sot në Shqipëri, është përcaktimi i Bankës Botërore afro 3 dollarë në ditë për frymë ose 100 dollarë në muaj.
Me këtë standard të Bankës Botërore, në Shqipëri vlerësohet që rreth 40 për qind e popullsisë jetojnë nën këtë kufi varfërie, çka e bën varfërinë një dukuri të përhapur gjerësisht dhe shumë të theksuar, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Nisma e vetme për të studiuar minimumin jetik ndodhi afro 6 vjet më parë kur avokati i popullit i kërkoi një studim të tillë Qendrës së pavarur për Kërkime ekonomike, por institucionet shtetërore përsëri nuk u përfshinë dhe as nuk e vazhduan kërkimin shkencor mbi varfërinë e shqiptarëve.
Shqipëria shpenzon aktualisht më pak se 10 për qind të GDP për këto skema të mbështetjes së varfërisë.
Nëse qeveria do të njihte një minimum jetik, atëherë ajo duhej të ndante shuma më të mëdha nga buxheti për të kompensuar këtë varfëri, ose për të mbuluar programin e të ardhurave të garantuara, sic quhen kudo në botë.
Politikat mbrojtëse duhet të ishin të tilla që çdo qytetar nën këtë minimum jetik duhet të merrte një kompensim nga shteti, ashtu si ndodh në vendet demokratike të botës, Nëse do të kishim një minimum jetik të njohur zyrtarisht.
Edhe pse kanë anëtarë të punësuar me paga të ulëta, shumica dërrmuese e familjeve shqiptare janë në këtë nivel minimal të jetesës.