Kujt realisht i shërbejnë shkollat e diploma e biznesit?
Jemi duke jetuar tashmë epokën ku kompanitë gjigante multinacionale janë në pozitën për të qenë më të fuqishme se qeveritë në disa raste dhe në mundësinë e plotë për të kontrolluar sistemin arsimor, i cili rrjedhimisht mbetet në shërbim të suksesit dhe të sipërmarrjeve të tyre. Haptazi ky lloj sistemi është krijuar për të qenë i lehtë kontrolli mbi njohuritë sipas interesit të një sistemi ekonomik që në qendër nuk ka nevojat e njerëzve të zakonshëm për të realizuar vetë jetesën në harmoni me njëri-tjetrin dhe me mjedisin, por nevojat e një sistemi global korporatash, ku çdo gjë është në shitje dhe ka një çmim, vlerë të cilën e cakton tregu.
Për rrjedhojë sistemi arsimor botëror është përqendruar në kurrikula mësimore e programe shkollimi biznesi ku të rinjtë, në fund të studimeve, e gjejnë vetën të brumosur me një kulturë të re perëndimore në mendim, vizion e filozofi, me premtimin dhe preteksin se po gatiten me aftësi konkurruese të larta për karrierën pasuniversitare. Fundi i ajsbergut është qëllimi i vërtetë i një sistemi arsimor në shërbim të nevojës së multikompanive për të përthithur të shkolluar që do të kontribuojnë në fuqizimin e pozitës dhe të pushtetit të tyre. Kësisoj, misioni i universiteteve mbetet vetëm krijimi i njohurive për një armatë të gjerë studentësh, që do të duhet t’ua shesin njohuritë për shumë pak kompanive të mëdha. Të tjerë janë me më pak fat, dhe u duhet të punojnë si shpërndarës ushqimesh me motoçikletë, edhe pse janë diplomuar në një shkollë biznesi.
Në sallat e tyre të seminareve dhe leksioneve, shkollat e biznesit vijojnë të mbeten ithtarë të mësimeve të vjetra e jashtë realitetit për tema që implikojnë biznesin, vetë mjedisin dhe transformimin socio-ekonomik që kanë provokuar vetë e që njihet si kriza e globalizimit. Lëndët kryesore në këto shkolla biznesi nuk marrin në konsideratë të trajtojnë tema se cilët janë fituesit e humbësit e këtij sistemi të ndërlidhur ekonomik. Në shkollat e biznesit ka pak histori në lidhje me prosperimin e kompanive multinacionale apo kush ishin aktorët e shkatërrimit ekologjik dhe padrejtësive sociale, që tashmë janë tipare të civilizimit modern dhe ekonomisë globale. Gjithashtu, pak leksione prekin se në interesin e kujt është të mos i vihet fre manisë për të pasur e zotuar gjithçka, e që në fakt ka sjellë konsumimin e pothuajse 60% të burimeve natyrore vetëm në pak dekada, për të mos përmendur më pas krizën serioze klimaterike.
Që të mos flasim pastaj për qindra skandale të kompanive të mëdha lidhur me punën skllavëruese të fëmijëve në plantacione, krizën mjedisore, emigrimin e sforcuar që duket se nuk mbaron kurrë si proces apo për gjithë vatrat e luftës për burime natyrore. Mund të vijojmë pastaj me shkurajimin e studentëve, përmes gjithë kurrikulave të shkollave të biznesit, për çështje si kurthi i mbikonsumimit ku njeriu i zakonshëm e ndien veten të mbërthyer, në mënyrë që qëndrueshmëria, përgjegjësia dhe diversiteti në lëndë të studiuara në këto shkolla të mos mbetet thjesht një dekor i shëmtuar i këtyre shkollave. Sigurisht tema kryesore e këtyre shkollave do të mbetet togfjalëshi se kapitalizmi është i paevitueshëm e se teknikat financiare dhe ligjore ku mbështetet ky sistem janë shkencë e pastër. Një ideologji kjo që i kthen shkollat e biznesit në institucione të rrezikshme.
Duhet i njëjti veprim si në vitin 1960, ku shumë profesorë sociologjie ngritën zërin për kurrikulën e fshehtë, që konkretisht përfaqësonte leksione që nuk përfshiheshin në kurrikulën mësimore të universitetit, si për shembull tema që lidhen me gruan, njerëzit me ngjyrë, klasën punëtore dhe ekonominë lokale. E gjithë kjo për të konfirmuar privilegjin e supremacinë e njeriut të bardhë. Sot shkollat e biznesit duket se i kanë vënë kapak kësaj çështjeje, duke trajtuar tema leksionesh si “etika e biznesit” apo “përgjegjësia sociale e korporatave”, si një mënyrë për të larë ndërgjegjen e tyre, jo si një mësim i mirëfilltë se si mund të veprohet konkretisht, duke bërë që gjithë fenomeni të mbetet fjalë pa vepra.
Shkollat e biznesit kanë privilegjin të formojnë liderët e së ardhmes dhe janë në pikën ku kanë nevojë të reflektojnë se për çfarë ka vërtet nevojë bota. Mjaft ekonomistë të zotë dhe idealistë kanë boll të dhëna, statistika e përfundime studimesh shkencore që rrëzojnë argumentimet e Friedman dhe Hayek se e vetmja përgjegjësi e korporatave është të maksimalizojnë fitimet e tyre, pa marrë në konsideratë pasojat dhe ndikimet negative te të tretët. Është pikërisht momenti që shkollat e biznesit të arsimojnë dhe të edukojnë liderët e së nesërmes se si të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për krizën e shkaktuar nga kapitalizmi dhe globalizmi, qorrsokakun ku është shpënë njerëzimi në keqbesim e për të cilin shkollat e biznesit kanë një pjesë të mirë të fajit.