Si t’i menaxhoj më mirë financat personale në kohë pandemie?
Nëse deri tani jeta ka qenë shumë e vrullshme dhe ti nuk ke pasur kohë për t’u marrë me paratë e tua, është koha tani, që je mbyllur brenda shtëpisë. Merr një filxhan me kafe apo çaj, një laps dhe një letër dhe ulu në një vend të qetë.
Filloje duke bërë një analizë të situatës tënde financiare. Sa para ke cash? Sa para ke në kursime? Sa ke investuar? Sa sende me vlerë ke që mund të kthehen në lek në rast se do të duhet t’i shesësh (në rastin më të keq)? Shkruaji të gjitha. Renditi nga mjetet më likuide në ato që duan më shumë kohë për t’u kthyer në para.
Ke pasur një qëllim financiar në fillim të këtij viti? Sa dhe si po ndikon kjo situatë? Mund të të duhet të ndryshosh komplet qëllimin, të shtysh kohën e parashikuar për ta përmbushur atë ose të ndryshosh mënyrat e planifikuara për t’a arritur. Duket se në situatën në të cilën jemi do na duhet të ndryshojmë disa qëllime dhe të bëjmë ndryshime në planet që kishim bërë për paratë tona.
Bëj një planifikim të mirëfilltë të të ardhurave dhe të shpenzimeve. Nëse planifikimi financiar nuk ka qenë dikur i rëndësishëm për ty, kupto sot që është. Dhe nuk është asnjëherë vonë për të nisur.
Nise me të ardhurat. Do vazhdosh të paguhesh këtë periudhë? Sa të ardhura parashikon të marrësh? Shkruaji!
Pastaj shiko shpenzimet. Cilat janë shpenzimet që të duhet patjetër të bësh, që janë të nevojshme (kujto këtu ushqimi, strehimi, kujdesi shëndetësor, etj.). Mos shko në dyqan të furnizohesh, pa asnjë planifikim më parë thjesht sepse shikon në lajme dhe të ka kapur paniku. Mos bli gjëra që nuk do t’i konsumosh asnjëherë, mos bli gjëra që prishen/skadojnë shumë shpejt dhe do të duhet t’i hedhësh. Mos bli gjëra që nuk i ke të nevojshme! Fokusohu në shpenzimet e nevojshme që janë strehimi, ushqimi, kujdesi shëndetësor. Shkurto çdo shpenzim që nuk është i domosdoshëm. Kjo është koha për të mbajtur sa më shumë cash që të mundesh.
Lexoni: Rregulli 50/30/20 – Si të përmirësoni menaxhimin e financave personale?
Do shohësh që këtë periudhë do kesh mundësi të kursesh. Transporti nuk është i lejuar, kështu nuk do harxhosh për karburant apo mirëmbajtje makine. Restorantet janë mbyllur (koha të përmirësosh aftësitë e tua në gatim). Lokalet janë të mbyllura kështu që nuk do të harxhosh në dreka/darka apo kafe jashtë me miqtë (shfrytëzo platformat online dhe pi një kafe virtuale). Palestrat janë të mbyllura kështu që nuk do të harxhosh as për këtë (në rast se ke bërë një abonim për një kohë të gjatë kujdesu ta pezullosh këto muaj). P.s është shumë e rëndësishme ta vazhdosh aktivitetin fizik në kushtet e shtëpisë. Aktivitetet, teatrot, kinematë, ambjentet sportive janë mbyllur, kjo do të thotë që ke mundësi të kursesh, duke parë një film në shtëpi, duke lexuar një libër të mirë apo duke qenë kreativ dhe të zhvillosh lojra në shtëpi me pjestarët e tjerë të familjes. Butikët, dyqanet e veshjeve janë mbyllur. Mos bli online për të kaluar stresin. Të hysh online dhe të bësh blerje në këtë kohë nuk është gjëja më e zgjuar që mund të bësh. Njoftimet në mediat sociale apo e-maile për ofertat e mira që bëjnë dy anët (madje t’a sjellin produktin direkt në shtëpi) mund të jenë shumë tunduese. Por ky vendim i pamenduar, nisur nga emocionet do të kushtojë kur jeta t’i rikthehet normalitetit.
Mos shpenzo nisur nga ndjenjat dhe emocionet! Është momenti të arsyetosh.
Këto para që kurseve shtoji në fondin tënd të emergjencës apo llogarinë e kursimit (në rast se nuk e ke krijuar një, koha është tani).
Kujdesu të planifikosh që të kesh mënjanë cash që të mbulojnë shpenzimet më të nevojshme (siç janë qeraja e shtëpisë, ushqimi, faturat më të domosdoshme, etj.) për minimumi 1-3 muaj.
Pasi ke vendosur prioritetet dhe organizuar financat e tua duhet t’a vendosësh në zbatim planifikimin. Frika dhe stresi çojnë në shpenzime të gabuara që mund të të kushtojnë shumë. Ndërsa të pasurit e një plani të qartë do të ndihmojë për të qenë më i qetë në këto kohë.
Nga Xonsila Hoxha