Solidarity Shop Berat – Një qoshkë për ngjyra shpirti në qytet
Solidarity Shop Berat është themeluar nga një grup prej katër personash, dy djem dhe dy vajza që vijnë nga fusha të ndryshme (mjek, psikolog, inxhiniere dhe ekonomiste) me moshë nga 25-33 vjeç. Ajo që i bashkon janë eksperiencat me nismat vullnetare dhe personat me aftësi ndryshe, puna në grup dhe dëshira për të bërë diçka të mirë, për të gjetur sa më shumë arsye për të zgjedhur Shqipërinë, jo emigrimin si opsionin më të mirë për të ardhmen.
Pavarësisht vështirësive dhe sfidave që kanë kryesisht në aspektin financiar përpiqen me energji pozitive dhe gatishmëri për të bërë më të mirën për ekonominë vendase duke ofruar mundësi punësimi për gratë e papuna, artizanët dhe prodhuesit e ushqimeve organike në Berat. Do të mahniteni nga ngjyrat, punimet e bukura dhe unike që janë punuar me dashuri nga njerëz të thjeshtë.
Solidarity Shop Berat vjen me një mesazh sidomos për bizneset, që të orientohen sa më shumë drejt aspektit social, për të patur impakt sa më pozitiv në ambientin ku jetojmë dhe punojmë dhe përmirësuar cilësinë e jetës, që është në të mirë të të gjithëve. Njerëz me mirëqënie më të mirë do të thotë njerëz më të lumtur, më shumë mundësi punësimi dhe “lulëzim” i gjithë komunitetit.
Instagram: solidarity_shop_berat
Bisedoi Aleksadra Stambolliu