Stanet – Pushime aventurash me legjenda e histori çobanësh
Jeta në stan është e mrekullueshme, larg zhurmës, mes ajrit të pastër kurativ, mes historisë e kulturës së këtyre anëve. Aty do të gjeni jo vetëm produkte tipike, por edhe plot legjenda, histori të treguara nga çobanët. Në këto zona do të gjeni gjurmë historike të rrënojave arkeologjike të periudhave të hershme, shpella, kala, ujëvara, liqene, lumenj, kaione, etj.
Nëse përzgjidhni të udhëtoni nëpër stanet e viseve shqiptare, do përjetoni aventurën, thjeshtësinë, shijen e vërtetë dhe “do te harroni luksin”. Do të kaloni natën mes maleve, nën tingujt e gjinkallave, nën tingujt e legjendave dhe mbi të gjitha do njiheni me historinë, traditat e fermerëve të zonës të cilët të bëjnë të udhëtosh në kohë.
Turistët që do të vizitojnë këto stane, do të gjejnë mikpritjen, do të mund të konsumojnë produkte 100% organike dhe të traditës shqiptare, do të flenë mbi lëkura, ecin mbi kuaj, dhe do të shijojnë netët e gjata nën tingujt e sharkive dhe rapsodive, muzikë për shpirtin. Ju mbetet juve për të zbuluar këtë experiencë që bën bashkë natyrën, ushqimin dhe traditën e këtyre viseve të egra por plot jetë e magji, të cilat vlejnë për t’u eksploruar.
Ju do të gjeni listën e plotë të staneve shqiptare vetëm përmes portalit “Agroturizëm” (www.agrotourism.gov.al) e që ofron një gamë të gjerë mundësish për të vizituar viset e sipërmarrjet në agroturizëm. Është platforma më e mirë që ju rrëfen udhë të reja për të zbuluar histori dhe aventura duke zbuluar tokën shqiptare.





