Stina e Flamingove
Pranvera është stina e flamingove. Ato I sheh kudo në Lagunën e Nartës dhe Divjakë-Karavasta. Flamingot mbahen në vëzhgim nga ekspertët e AdZM-ve tona dhe janë studiuar në detaje nga ornitologë dhe nga organizata “Wildlife Albanian Photographers”, të cilët me aparaturat e tyre arrijnë në detaje deri tek unazat që ju janë vendosur në këmbë, në vendin ku janë identifikuar për herë të parë.
Zogjtë lozonjarë që tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre. Ata janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.
Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.
Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.
Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri ne 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2 – 3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët.