Sugjerime titujsh të mirë nga një lexuese ëndërrimtare e pandreqshme
Sa herë më duhet të prezantohem e të përshkruaj veten, ndihem si e zënë në grackën e disa dimensioneve që më përbëjnë.
Mes gjithë lëmshit të mendimeve, le ta nisim kështu: Unë jam Rea, një vajzë me një tufë librash në dorë e një grumbull ëndrrash në zemër. Prej vitesh tanimë kam ndërtuar qoshkën time të kënaqësisë, në të cilën ndaj me lexuesit pasionin tim më të madh, librat. “Një tufë rrezesh nëpër RE” është ditari publik i dashurisë sime për librat, leximin, aktivitetet e lidhura me to, dijen e arsimin.
Një tjetër nismë e rëndësishme që ka derivuar prej blogut tim është Klubi Virtual i Librit Nefos, i cili funksionon si një vend i përbashkët virtual paqësor e i ëmbël, ku çdo muaj lexojmë një libër së bashku e mendimet tona rreth tij i ndajmë me vetë shkrimtarin, përkthyesin, botuesin e më gjerë se kaq.
Pse të mos vizitoni Nefos.al në internet për t’u njohur me librarinë virtuale shqiptare krejt të pazakontë me çka keni hasur deri tani në tregun tonë?
Për më ditur më tepër rreth Reas, Re-së, Një tufë rrezesh nëpër RE e NEFOS.al, shkruamëni pa asnjë ndrojë.
•••••••
Sa herë pyetem për sugjerime librash më krijohet një ndjesi faji se shuuumë libra e autorë të dashur do t’i harroj patjetër. Megjithatë, këtë herë do të duhet të kufizohem në vetëm pesë libra që unë vërtet ju këshilloj t’u jepni një mundësi.
1. CIKLOPI – Brajan Sukaj
Ky libër është një nga më të ndjerët e viteve të fundit, shkruar nga një autor i ri me përgjegjësinë, ndjeshmërinë, thellësinë e mendimit e trajektoren mbërthyese të një autori të moçëm. Nësë po kërkoni një libër që nuk doni ta lëshoni nga duart, duhet të rendisni në leximet tuaja të ardhshme “Ciklopi”. Për më tepër, ky libër është fitues i edicionit të 21-të të Panairit të Librit.
Çka më mahniti te Brajani është leksiku i shpluhurosur nga kohët e vjetra, pasurimi i shqipes së sotme, ndërthurja e autorëve klasikë në penën e një autori të ri.
Bonus: Libri i tij i fundit “Viti i Elefantit”, është edhe më befasues, i plotë e një lexim nga ata cilësorët.
2. PRINCI I VOGËL – ANTOINE DE SAINT-EXUPERY
Ky libër është himni i dëlirësisë. Një kryevepër botërore me mesazhe universale, e cila qëndron mrekullisht mirë në çdo kohë. Princi i vogël është zjarri që mban ndezur zemrën e vocërrakut brenda vetes edhe pasi vitet kanë kaluar. Një histori e mrekullueshme nëpërmjet së cilës do të cekësh kuptimin e ekzistencës njerëzore dhe lidhjen e saj të patjetërsueshme me dashurinë.
3.NGADALËSIA -MILAN KUNDERA
Nëse gjatë muajit qershor dëshiron t’i bashkohesh Klubit të Librit Nefos, e njëkohësisht të lexosh një autor të mirë, ky është libri për ty. Ky libër është udhërrëfyesi i kohërave moderne mes jetës frenetike e kujtesës njerëzore. Me shumë gjasa, çdo lexues mund të pajiset me disa përgjigje të rëndësishme gjatë udhëtimit në rreshtat e këtij libri.
4. TESTAMENTET – MARGARET ATWOOD
Ky libër plotëson romanin e parë “Rrëfenja e shërbëtores” e premton t’i mbërthejë lexuesit po njësoj. Dramat e jetëve të tri grave në një shtet totalitar, ku gruaja është veçse një robinjë riprodhuese.
Ky libër do të jetë një arsye për t’u tronditur, për të reflektuar e për të mos e ndalur asnjë çast leximin.
5. 1984 – GEORGE ORWELL
Për të qëndruar te historitë tronditëse dhe përjetimet në shtete totalitare, kjo kryevepër botërore do t’ju ndihmojë të ndërtoni një këndvështrim tjetër për shumë elemente të jetës suaj të përditshme, që në të vërtetë përbëjnë gjithë lirinë tuaj.
Një tjetër arsye pse ky roman duhet lexuar patjetër është shqipërimi i jashtëzakonshëm i Sokol Çungës, të cilin nuk mund të rrija pa e përmendur.
Nga Rea Godo