Talibanët po shkatërrojnë thesaret e lashta të Afganistanit. A do të përsëritet historia?
Ashtu siç bëri Aleksandri i Madh në vitin 330 p.e.s., forcat talebane këtë javë pushtuan qytetet strategjike të Heratit dhe Kandaharit, ndërsa morën edhe një duzinë qytetesh të tjera të mëdha në të gjithë Afganistanin. Fitoret e papritura i kapën në habi kuratorët e muzeve dhe arkeologët, të cilët po coptohen për t’i mbajtur këto lokalitete dhe artefaktet e tjera ende nën kontrollin e tyre. Fati i “këtyre mbrojtësve” brenda territorit që udhëhiqet nga talebanët mbetet i pasigurt.
Tani, me forcat talebane në Kabul, koleksioni i më shumë se 80 mijë artefakteve në Muzeun Kombëtar të Afganistanit është i cenueshëm. “Ne jemi të shqetësuar për sigurinë e stafit dhe koleksioneve tona”, ka thënë Mohammad Fahim Rahimi, drejtor i muzeut.
Siç dihet tashmë, Afganistani është një udhëkryq i rëndësishëm për këtë mijëvjeçar sidomos për shkak të një trashëgimie jashtëzakonisht të pasur. Nga ky vend, budizmi u përhap për në Kinë, ndërsa zoroastrizmi, krishterimi, judaizmi dhe hinduizmi lulëzuan para dhe pas ardhjes së islamit në shekullin e shtatë pas Krishtit, si një arterie kryesore e “Rrugës së Mëndafshit”, që lidhte Indinë me Iranin dhe Kinën. Afganistani është i mbushur me mbetjet e qyteteve të lashta e manastire që strehonin udhëtarët – përfshirë Marco Polon gjatë rrugës për në oborrin e sunduesit Kublai Khan.
Ndërkohë, kuratorët e Kabulit po shpejtojnë përpjekjet për të eksportuar objekte në një ekspozitë të planifikuar muzeale në Paris. Philippe Marquis, drejtor i Delegacionit Arkeologjik Francez në Afganistan, shpreson të kthehet në Kabul së shpejti për të mbikëqyrur paketimin e objekteve. “Situata është shumë e paparashikueshme”, ka thënë ai. “
Zyrtarët afganë nuk pranuan të specifikojnë se çplane kanë për koleksionin e famshëm të Muzeut Kombëtar. “Ne duhet t’i ruajmë artefaktet, por pyetja është se si të gjejmë një vend të sigurt”, ka thënë një burim qeveritar. “Nuk ka asnjë mënyrë që artefaktet ose stafi të largohen nga vendi”. “Një tjetër shtoi se ai është i bindur që Kombet e Bashkuara do të bëjnë presion mbi talebanët për t’i mbrojtur zyrtarët e trashëgimisë kulturore, por edhe artefaktet dhe lokalitetet.
Megjithatë, talebanët tashmë kanë vën nën kontroll të plotë lokalitetin “Mes Aynak” – një nga manastiret e mëdha budiste të Azisë Qendrore, i vendosur në periferi të kryeqytetit. Së bashku me tempujt dhe statujat, janë gjithsej 10 mijë artefakte të gjetura në atë lokalitet, përfshirë më shumë se 2 mijë e 500 monedha. Talebanët gjithashtu tani kanë nën mbikëqyrje muzeun e ri në kështjellën e Heratit, si dhe muzetë dhe koleksionet më të vogla në Kandahar, Ghazni dhe Balkh.
(Marrë nga “National Geographic”)