TAULANT PUPA – Djaloshi që i sheh hajrin diplomës së “La Sapienza”-s dhe punës familjare në fshatin e tij

Roma, qyteti i përjetshëm do ta linte pa mend Taulantin që ditët e para. Për djaloshin e ndrojtur nga Nizhaveci i Pogradecit, çdo ditë do t’i kthehej në aventurë zbulimi e një bote krejt të re dhe të parrokur më parë. Çudi do të ishin për të dyert që hapeshin vetë në qendra tregtare, ashtu siç u kthye edhe mësimi në rrugëtimin e tij drejt dijes, vizionit dhe mendësisë. Mundësia për të hapur dyert e jetës kësisoj ishte një sfidë që ia vlente, duke mos harruar asnjë çast prej nga vinte e nga sakrifica e kujt.
Kështu Roma do të ishte vendi ku do të shkollohej e s’kish gjë në botë që ia printe hovin e gëzimit. Shkolla e mesme në ‘Institutin Shtetëror Tekniko-Agrar’ do t’i jepte titullin ‘Specialist Agrar’. Shkollim ky, që jo pa qëllim ishte kryer në këtë degë. Më pas studimet do të vijojnë për ‘Ekonomi-Financë’ dhe dy vite master-specializim në ‘Menaxhim, Inovacion dhe Administrim Biznes’ në prestigjozen “La Sapienza” në Romë.
Gjithë mundësia për të rrokur ëndrrën e madhe për t’u arsimuar në një nga shkollat më të mira botërore e për t’u formësuar në një nga vendet më të admiruara, vjen si pasojë e nxitjes së familjes dhe doemos shpresës së tyre. Ishte viti 2014 ku Taulanti vendos të refuzojë të punësohet pranë bankës “UniCredit” dhe të kthehet në shtëpinë e tij në fshat. E nëse e pyet përse kthehet, të gjegjet menjëherë se ishin rrënjë: kthimit të borxhit familjes dhe punës në punishten e qumështit që bënë të mundur shkollimin e tij në Europë.
Ju përvesh menjëherë punës që në ditët e para. E para gjë që bëri Taulanti në punishten familjare, ishte zëvendësimi tërësisht i proçesit prodhues nga në mënyrë artizanale në automatike. Investimi në makineri moderne nuk e cënoi “prekejen artizanale” të përpunimit të qumshtit. Ajo veçse lehtësoi punën e bërë më së shumti me krahë dhe shkurtoi proçeset e punës. Prodhimi përfundimtar ishte si më parë: artizanal dhe natyral. Guximi i Taulantit për risi teknologjike u vu në dyshim nga pjetsarët e familjes, të cilët që prej vitit 1992 operonin me të njëjtin ritëm dhe mënyrë prodhimi. Ata patën hezitimin se mos prishej cilësia e prodhimit artizanal por që për fat të mirë rezultoi e kundërta. Kapaciteti prodhues u rrit dhe tregu u bë më kërkues.
Rutina e ditës të Tualantit krahasuar me atë të Romës nuk e ndryshonte veçse mëngjesi i vonë në barin e zakonshëm ku konsumohej me shqiptarë të tjerë, për dy orë kafja gjysmë filxhani “cornetto”. Tashme ora e zgjimit për Tualantin është çdo ditë në 04:30. I duhet të mbërrij herët në punishten e qumëshit për të marë një prej autobotëve për të mbledhur qumështin tek fermerët e vegjël rreth e qark fshatit të tij Nizhavec, në një rreze prej 20 kilometrash. Më pas vijon me këqyrjen e gjithë proçesit të përpunimit të qumështit bashkërendimin e punës së 26 punonjësve, kontrollin e cilësisë në laboratorin e fabrikës, dorëzimin e prodhimit përfundimtar tek shpërndarësit, menaxhimin e marrëdhënieve institucionale dhe mes bashkëputorëve tregtarë.
Padyshim Taulanti dhe familja e tij hasen për çdo ditë me vështirësitë e të qenurit në biznes prodhues. Kush ka një të tillë e kupton mjaft mirë e ndaj nuk e gacmoj shumë. Familja e tij, ai vetë nuk ka bërë asnjëherë asnjë përçapje për ndihmë financiare nga skema të ndryshme kombëtare. Pranon se prej kërkesave të subjekteve kontrolluese shtetërore është përmirësuar porse dëshiron që siç është kontrolli i reptë nën kërcënimin e gjobave mbi gjithë veprimtarinë e tij, të ishte dhe mbështetja teknike e institucionale për përmirësim. Megjithatës Taulanti, djaloshi që la Romën e ëndrave për fshatin, familjen e punën familjare pranon se tashmë është mësuar me sfidat e punës së nderit, së sakrificës e djersës së ballit.
Megjithatë të aftët dhe të sprovuarit arrijnë mirë të gjejnë veten në mospërbishtjen e zotimit për t’ia dalë jo vetëm t’i shërbejnë vetes; familjes por edhe komunitetit me sipërmarrjet e tyre. Ndaj puna e Taulantit dhe të ngjashmëve të tij, është një inkurajim sesi mund të arrihet, ndoshta me shumë mund se zakonisht, t’i gëzohesh fryteve të sakrificës së atyre ëndrrave lidhur pazgjidhmërisht ngushtë me fatin e vendit. Kjo duke mos iu dorëzuar në asnjë moment pendimit të kthimit në Shqipëri.
E sidoqoftë për të gjithë ata skeptikë të pandreqshëm që lëkunden në besimin se ribërja, ripërtëritja, rindërtimi, refromimi këtij vendi nuk është i pamundshëm më në këtë vend, Taulanti na jep një mësim të mirë të gjithëve. Ai qartazi dëshmon e rebelon përmes shpresës së vërtetë paçka se vendi dergjet në lëngatën e njerëzve të larguar dhe atyre që zotohen foltoresh me mjeshtëri premtimesh. Ajo shpresë ngadhënjen përmes njerëzve të zakonshëm të punës së nderit e djersës, të atyre që mes rropatjes së vëshirësisë së ditës nuk rreshtin së ëndërruari Shqipërinë një vend më të mirë. E Taulanti na e dëshmon këtë më së miri!