Të rikthyer e të zhgënjyer
Arjani është djaloshi i kthyer prej emigrimit vite më parë, për t’iu bashkuar punës së familjes në fshat e cila posedon një fabrikë përpunimi të qumështit 15 km larg qytetit juglindor të Korçës. Ai bashkë me familjen e tij ka këtë aktivitet që prej vitit 1996. Rreth 140 fermerë shesin qumështin tek ai. Nuk ka përfituar ndonjëherë ndonjë grant porse vetëm kredi bankare për aktivitetin bujqësor.
Në fermë, edhe pse ata janë angazhuar familjarisht, llogaritë nuk i dalin. Arjani shprehet se do të ulë sërish numrin e punonjësve pasi nuk ka aspak fitim, ushqimet për bagëtitë janë të shtrenjta, shitja e nënproduktit të qumështit është me çmim të ulët për shakk të konkurencës së fabrikave të mëdha të përpunimit të qumështit dhe si përfundim i gjithë aktiviteti del me humbje. Në mendimin e tij, subvencione nuk ka dhe tashmë e sheh të vështirë ecurinë e veprimtarisë së tij,
Nga ana tjetër, kontaktin më të shpeshtë e ka me autoritetet kontrolluese të sigurisë ushqimore e pohon se është përmirësuar prej kërkesave të tyre por shpesh mërzitet nga sjellja e tyre policore, shpesh arrogante.
Në fakt dy janë institucionet e rëndësishme të cilat u vijnë në ndihmë prodhuesve, fermerëve vendas dhe bujqësisë shqiptare. Njëra është AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) i cili ka realizon kryesisht kontrollin zyrtar të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë dhe të mbrojtjes së bimëve dhe riskun që lidhet me to. Tjetra është AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) e cila e ka fokusin kryesisht tek mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Por fshati dhe të tjerë fermerët a produes të vegjël si Arjani, hasen me shumë e më shumë probleme e nevoja që nuk është kompetencë e këtyre institucioneve. U duhet kështu t’ia dalin vetë mbanë edhe pse me lupën e mprehtë mbi kokë në gjurmim të qimes në sy.