… të xixëllosh punën me mendje, me duar dhe me zemër!”

Rudina Avdijaj Caca është një prej atyre grave me mirësi të admirueshme. Kur flasim dhe e pyes me kërshëri për dhuntitë që janë gatuar me ojna mbi zemrën e saj, Rudina syqeshur më tregon se përkushtimi dhe njerëzorja e mbjellë me shumë kujdes e finesë në mendjen dhe frymën e saj janë dhuratë e bekuar prej familjes. Thuajse njësoj, sikurse zanati i punës së dorës, kjo zeje e artë që ndër breza ka përcjellë pasuritë e pamatme, fatkeqësisht është pak e çmueshme nga anët tona. Siç mund të kuptohet, Rudina, punën e dorës e ka trashëguar nga nëna, dy gjyshet e saj të dashura, halla dhe tezet, të cilat dikur kanë pas punuar shumë, anipse sot vetëm nëna dhe gjyshja e Rudinës punojnë “çikërrima” për vajzat e shtëpisë.
- Gjyshja Hylë, Nana Zylë edhe ti Rudinë! Tri gra me hanë në ballë! Si puqen brezat te ju?
Fillimisht, të faleminderit për komplimentin. Meqë po na quan “gra me hanë në ballë”, atëherë po të them se gjyshja dhe nana po shpresojnë që kjo hana ime të ndriçojë ca më shumë, ta lartësojë dritën aq sa t’iu vjedhë edhe shkëlqimin yjeve, sepse dikur puna e tyre nuk është vlerësuar sa duhet, sidomos në kohën e nanës, meqë aso vitesh anipse të gjitha gratë punonin e përpiqeshin, puna nuk kishte shumë vlerë. Ndoshta, prandaj nana asnjëherë nuk ka pasur qejf që unë të bëj punëdore. Kjo histori ka vazhduar derisa ajo e dëftoi se e kisha marrë me seriozitet zanatin e zonjave të shtëpisë … tani po, kam mbështetjen e saj, por edhe kritikën më të madhe. Nana është detajiste dhe do që çdo gjë të jetë e punuar me delikatesë deri në përsosmëri.
- Ç’të mirë të ka falur jeta mes Tiranës dhe Prishtinës?
Jeta mes Tiranës dhe Prishtinës është pjësa më e rëndësishme e qenies sime! Jeta këtu më fali tre fëmijë dhe më dhuroi një familje të dytë, të cilët më duan, më respektojnë dhe më mbështesin shumë në çdo punë a projekt, sidomos vjehrra ime e dashur.
- Ndjeshmëria e theksuar ndaj Tokës dhe Natyrës lexohet kollajshëm në punën tënde. Si çelet udha e kësaj Dashurie?
Mendoj se çdo gjë është e lidhur më fëmijërinë. Unë jam rritur në kohën kur çdo shishe rikthehej në kompani për t’u ripërdorur. Pastaj si e rritur në fshat, kontakti dhe dashuria për natyrën kanë qenë të pashmangshme. Nga prindërit e nanës kam shumë kujtime. Mbaj mend se si ata kujdeseshin deri në imtësi për frutat, të mbjellat e të korrat!
- Dy fjalë për iniciativën “Child mood”?
Iniciativën e mora pasi u bëra pjesë e një tjetër iniciative të ngjashme që organizohej nga Pezana Rexha (arkitekte). Për momentin kemi ndaluar së punuari për shkak të pandemisë, por po shpresoj që sa të kalojë kjo situatë e pakëndshme do të rikthehemi. E kam ëndërr të realizoj diçka të vyer!
- Po projekti “Lulet e Karantinës” si lindi?
Unë kam shumë energji kur bëhet fjalë për punë! Gjatë karantinës ama e kisha thuajse të pamundur të punoja, sepse sapo kisha lindur dhe vendosa të qëndroja afër fëmijëve. Ndërkohë, po vrisja mendjen se çfarë mund të bëja … dhe duke u vënë në pozitën e gazetareve që dilnin në TV për të na informuar apo për të na mbajtur në humor të mirë; duke ndjekur gratë që përmes rrjeteve sociale përpiqeshin të dhuronin më të çmuarën e tyre, mendova me vete: “ç’më kushton mua nga një dedikim për secilën?!”. Në fakt, më vjen shumë keq kur kujtoj se kam lënë edhe gra të tjera pa i përmendur, por nuk ishte aq e lehtë të gjeje secilin emër.
- Me ç’materiale ke punuar përgjatë asaj periudhe?
Jo vetëm gjatë karantinës, por gjithmonë unë ricikloj ose ripërdor materiale. Në fakt, pandemia e shpalosi sheshit rëndësinë e riciklimit! Është interesante, sepse qysh para karantinës unë e kisha ideuar një projekt që do ta quaja “TERRA” dhe që do të përmbante aksesorë të punuar me tapa (kapak) të shisheve të ujit. Sigurisht, situata ma pamundësoi realizimin… sakaq u detyrova të vazhdoja vetëm me “Lulet e Karantinës”.
- Cili mund të ketë qenë një nga mësimet më të vyera të karantinës?
Karantina na e ka mësuar me kosto jo pak të larta rëndësinë e njëri – tjetrit dhe rëndësinë e Tokës, ambientit e të hapësirës ku jetojmë. Unë sikur e ndjeva furtunën, mbase ndjeshmëria më nxiti për ta ideuar projektin me në qendër mbrojtjen e natyrës. Gjithashtu kisha planifikuar të mos punoja, t’i përkushtohesha fëmijëve dhe vetëm të bëja aksesorë për qejf. E gjithë kjo, pa e ditur se pikërisht këto ide a plane do të bëheshin shpejt; ishin mësimi më i vyer i jetës, jo vetëm për mua, por për shumicën.
- Cilat janë teknikat dhe materialet me të cilat punon vazhdimisht? Sa e vështirë është për t’i gjetur ato?!
Sot asgjë nuk është e vështirë, mendoj unë. Përditë e më shumë ne po digjitalizohemi, andaj të paktën ta shfrytëzojmë këtë proces në të mire. Domethënë, kur punoj me rruaza dhe tel, aksesorët e nevojshëm i porosit përmes internetit jashtë Tiranës, kryesisht në Kosovë. Ndërsa për riciklim tashmë familjarët dhe miqtë e mi e dinë që unë mbledh materiale të ndryshme, ndaj tregojnë fort kujdes duke i mbledhur e duke m’i dhuruar. Ndaj u jam shumë mirënjohëse të gjithëve!
____
P.S. Biseda me Rudinën nuk do mbaronte as këtu e as aty. Ne mund të flisnim akoma e të tregonim shumë histori, por në të tilla kohë artizanët kanë nevojë për ndihmën tonë. Andaj, ju mund ta gjeni Rudinën në të gjitha platformat elektronike, mund t’i shkruani e të porositni aksesorët e punuar nga zemra e dëlirë e një nëne që fal mirësi të pasosur.