Throw and Grow – Inisiativa për të rikthyer pyjet
Studimet e fundit tregojnë se Pakistani ka shkallën më të lartë të shpyllëzimit në Azi për shkak të ndërtimit të shtëpive dhe rrjeteve rrugore për të përballuar rritjen e popullsisë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) më shumë se 1/3 e zonës pyjore të Pakistanit është reduktuar gjatë viteve 1990 dhe 2010. Ekspertët paralajmërojnë se vendi mund të rrezikoj humbjen e të gjitha pyjeve brenda 50 viteve të ardhshme, e cila ndikon drejtpërdrejt në jetën e vendasve.
Përpjekjet për ripyllëzimin në Pakistan po rriten nga projekti “Throw and Grow”. Projekti përfshin përzgjedhjen e farave të shëndetshme, të cilat vendosen në një përzierje balte dhe plehu organik, duke formuar një shtresë të jashtme që i mbron farat nga kafshët, insektet dhe siguron lëndë ushqyese që të rriten. Miliona fara janë shpërndarë në vende të ndryshme dhe vazhdojnë të shpërndahen nga vullnetarë duke përfshirë edhe fëmijë. Kjo metodë unike ka 25-35% sukses, krahasuar me nivelin tradicional të mbjelljes prej 10%. Në një mjedis të përshtatshëm farat mbijnë për 3-4 javë ose 6-8 javë nëse kanë një shtresë mbështjellje më të trashë të farës.
Nga Aleksandra Stambolliu