Tirana ose nji tregim shpirti i pakryem
Tirana, kaherë ka qenë qyteti i andrrave! Kryeqyteti shpirtnor i çdo shqiptari që rritej me amanetin stërgjyshnor për me e shkel veç nji herë, venin e të parëve! Nji sheher tepër i mistik n’kujtesën përvëluese të atyre që jetonin larg!
Tirana qe foleja besnike e librit n’shqip dhe konaku i gjanë i ditunisë! Madje, ky qytet me lum, n’kujtimin e mërgimtarëve tana herat vizatohej si shpresa e parë dhe lutja e mramë për të nesërmen tjetër; stinën ndryshe të nji populli fatkeq ndër dekada historie! Pra, do – s’do, Tirana ka qenë edhe asht qyteti i andrrimtarëve të përmalluem për nji mot ma të lehtë e ma të drejtë!
Veç ambëlsisë së pranverës, flladit të vjeshtës dhe akulloreve t’shijshme, Tirana sot ka drunjë t’naltë, plot ngjyra e gjethe përrallore! Ka edhe bulevard ku ecën lirshëm, shpërfillshëm tuj i numrue menimet hutaqe! Ka lokale ku gatuhet me zemër dhe ku gatiten kafetë ma t’mira n’krejt Ballkanin! Në Tiranë ka nespulla, hide, trileçe, byrek, dhallë, fërgesë verore e peshk deti! Ka edhe kioska t’vockla dhe rugica të shtruara me libra të rinjë e të vjetër! Ka edhe kinema, teatër e sheshe t’shtrueme n’kujtime!
- Tirana e njeriut modest, i fsheh n’palcë dashnitë prej së cilave nis jeta dhe njerëzimi;
- Tirana e njeriut t’mirë, rrnon për më kallxu!
Tirana n’synin tem!
Kur shkël udhëve të Tiranës, ngacmohem tek-tuk për me i kap ca dakika të papërshkruem n’fjalë. Kjo copëz Toke asht qoshk i mistershëm, që të deh n’kuriozitet! Nji tregim i papërfunduem dimni, që ta trazon shpirtin përmes bojnave të Qiellit dhe vujtjeve të pakryeme të nji shoqnije, t’hjekun keq!
Tirana asht edhe melodi që të fut n’atë oborrin e stolisun me dëshira, shpresë e pamundësi! Nji përzimje e t’idhtës me t’amlën e bukurisë dalldisëse! Në Tiranë përherë takoj njerëz me horizonte të pa cënueme; menje të etuna për dije; zemra t’çiltra dhe të çeluna në qjellna t’paqtë! Këtu nji bylbyl ka me knue përgjithnji! Përmendje se rranjët tona nuk kalben kollaj!
Në Tiranë, ndonjiherë xhani m’ngushtohen prej atyne syve që kqyrin gjithë vrerë … pezmatohem kur shoh të rinjë që zhgënjehen dhe treten larg sepse për ato/ ata Tirana u kthy në makth, nji qoshk i mbyllun ku terri e ka praptue dritën. Idhtohem fund e krye, sidomos kur nuk i shoh ma qoshet e marueme me dashni t’kullume. Rrokaqiejtë prej betoni tash po ja vjedhin nurin këtij qyteti të hutuem. Shpesh, druej se tëhuajsimi i kujtesës ka me sosun brezat që edhe ashtu s’kanë ma motive të bollshme për mos me ik! Sot, i joni qytet po trazohet prej territ! POR, nëse terri asht nishan që dëfton se xixat e djellit s’kanë me u vonu, a duhet doemos njerëzit e mirë me u dorëzu?
Nga Fjolla Spanca