Toka nuk po vdes. Atë po e vrasin!
…e ata që po e bëjnë kanë emra dhe adresa” – Uttah Philiphs
Në Vlorë, fare pranë qytetit mund të bësh një shëtitje të gjatë në bregun e detit. Banorët vendas e dinë mirë se periudha mars-qershor, shtator-nëntor është koha më e mirë që mud ta shijosh detin pa kokëçarje turmash turistësh. Ecjet e gjata zëvendësohen tashmë nga reflektime kilometrike. Ripi i rërës, që në paç dëshirën mund ta shkelësh shpenguar këmbëzbathur i ngjan një zonë e paqtë neutrale, si një kufi. Nga një anë deti i pamatë, i pabesë, misterioz, hera-herës i frikshëm e që mbulon ¾ e botës, jo zbuluar plotësisht.
Nga ana tjetër, një botë çmendurisht e vrullshme që të kaplon me ankthin e të jetuarit pakujdesisht civilizimin, progresin siocio-ekonomik përmes të qënit të lirë e me të drejta, si asnjë epokë tjetër.I gjithë zhvillimi teknologjik që po përjetojmë, rritja galopante e popullsisë botërore, influenca dominuese e aktivitetit njerëzor mbi natyrën dhe klimën, po na çon pashmangërisht drejt epokës gjeologjike Antropocene.
Një epokë ku njeriu me aktivitetin e tij sundon me një ndikim të papreçedentë ne Tokë dhe në gjithë gjallesat e tjera të gjalla.Epokë që transformoi totalisht jetën tonë përmes një stili të të jetuarit plot lehtësira e komoditete të cilën e morrëm ‘for granted’ (të mirëqenë) e se e kemi të vështirë ta perceptojmë jetën ndryshe. Sikundër teknologjia e telefonave inteligjentë dhe platforma Netflix, që na ‘mbajtën mendjen’ gjatë izolimit në shtëpi. Pa dyshim arritjet teknologjike na dhanë mundësinë të kemi, edhe pse jo të gjithë, një jetë të qetë, të rehatshme e dinjitoze.
Qënia njerëzore është një specie e mrekullueshme por që i duhet më shumë të reflektoj për rolin e saj pashmangshmërisht të rëndësishëm në Tokë.
Por e gjitha kjo nuk erdhi pa një çmim. Pa frena, si kurrë më parë, resurset natyrore u shfrytëzuan barbarisht përmes sistemit ekonomik në fuqi e ndihmës si sistemeve politike e rritjes së multikompanive globale. E gjitha kjo në emër të civilizimit modern që iu përvesh përdhunshëm kulturave vendase dhe indigjene përmes aktesh barbare kolonizimi, genocidi e skllavërimi.Jo domosdoshmërisht duhet të kalojnë shekuj e mijëvjecarë për të kuptuar ‘mbetjet fizike’ e njeriut modern.
Panorama është rëqethëse: që nga përpirja e tokës nga plastika, ngrohja globale, shkatërrimi i habitateve natyrore, shfrytëzimi pa kriter i resurseve natyrore, e deri tek humbja e biodiversitetit dhe numri të specieve të gjalla.Në gjuhën e shifra do të thuhej se rreth 97% e publikimeve shkencore tregojnë se ngrohja globale është shkaktuar nga aktiviteti njerëzor. E po të vazhdojmë të flasim më tej mund të themi se: që prej lindjes së civilizimit, njerëzimi është shkaktar humbjes së 83% të gjithë kafshëve të egra, 80 % të gjitarëve detarë, 50% e bimëve e 15% të peshqve.
Atje ku bregu laget nga ujrat apo anekënd botës, pas ëndrrës së keqe Covid 19, medoemos sërsish do të shfaqen njerëzit në me rutinën e aktivitetet e tyre çlodhëse. Me shpresën e kthjelltësinë së një million arsyeve për të ndrequr disa gjëra para se të jetë shumë vonë e që njerëzit e së ardhmes së largët të mos na llogarisin si qënie që u mbytën në krenarinë e arritjeve.
Nga Marcela Tringaj