Trashëgimia kulturore / Frymëzim për të rinjtë
Kultura popullore është një burim nga ku rrjedh folklori popullor. Vallja popullore në veçanti është një pasuri kombëtare shumë e vyer. Motivet koreografike burimore janë shfrytëzuar me mjaft mjeshtëri nga koreografë të ndryshëm të vendit tonë.
Për të përcjellë më tej këto të mira dhe njohuri kombëtare, organizata jofitimprurëse Social Services Center DDAER (SSC DDAER) është mbështetëse kryesore e nismës së programit për të rinjtë “Rinia tok në valle”. Drejtuesja e saj, Sueda Guri, ka përfshirë në këtë projekt studiues dhe profesionistë të fushës së folklorit dhe të valles popullore. Ky projekt është vënë fillimisht në zbatim në vitin 2019, i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës, duke u përmbyllur me një shfaqje 30-minutëshe të realizuar nga të rinjtë pjesëmarrës, që vinin nga gjimnaze të ndryshëm të Tiranës.
Në vitin 2020 ky projekt u mbështet sërish, kësaj radhe nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Për shkak të pandemisë Covid-19 projekti është pezulluar, për t’u rikthyer në një moment kur situata do të jetë përmirësuar. Në këtë projekt, përveç të rinjve nga Tirana do të jenë pjesëmarrës edhe ata nga Kosova, komuna Obiliq. Ky bashkëpunim erdhi si dëshirë e drejtueses së projektit dhe e Ministrisë së Arsimit.
Të rinjtë nga Kosova kanë si drejtues Besnik Grajcevcin, solist i Ansamblit Shota në Kosovë. Është një emocion i vërtetë t’i përfshish këta të rinj në kulturën popullore, nëpërmjet fakteve të shkruara rreth krijimtarisë, kostumografisë dhe trashëgimisë kulturore. Unë si studiuese e Folklorit Koreografik e ndiej të nevojshme t’u referoj këtyre të rinjve nga ana teorike rëndësinë jo vetëm të kulturës materiale, por edhe shpirtërore, të atyre artistëve të palodhur që kanë përcjellë art brez pas brezi. Ajo që ky projekt do të vërë në dukje është përfshirja e të rinjve jo vetëm si valltarë performues, por edhe ta njohin origjinën e këtyre perlave burimore.
Studime të shumta të shkruara rreth krijimtarisë folklorike tregojnë historinë se si koreografët popullorë shqiptarë kanë realizuar mbledhjen e materialeve burimore në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë, për t’i sjellë në skenë me mjaft mjeshtëri nga ana artistike, pa ua humbur identitetin lëvizjeve popullore. Vallet popullore, si edhe këngët popullore kanë pësuar ndryshime të shumta duke u rivënë në skenë nga koreografë të ndryshëm. Por e rëndësishme për t’u theksuar është se ata janë munduar gjithnjë t’u qëndrojnë besnik motiveve burimore, për të mos ua humbur origjinalitetin.
Organizata SSC DDAER së bashku me profesionistë të fushës ka si qëllim që, ndër të tjera, këtë projekt ta mbyllë me një shfaqje të realizuar nga të rinjtë pjesëmarrës. Gjithashtu, ajo dëshiron që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë sikurse edhe institucione të tjera t’i japin prioritet, që nisma të tilla të mos mbeten thjesht projekte, por të vendosen në kurrikulat shkollore, sepse janë pjesë me rëndësi për artin popullor, për brezat e rinj. Njohja e kulturës popullore është një domosdoshmëri për të gjithë brezat.
Nga Elona Beqiraj, studiuese e Folklorit Popullor