Tregu, një vend i përsosur për ndërlidhjen njerëzore
Sipas aktivistes Vandana Shiva, e njohur edhe si “Heroina e mjedisit”, ekzistojnë dy lloje tregjesh. Të parat janë tregjet që kanë në fokus njeriun dhe që ekzistojnë që kur njerëzimi pati nevojë për të shkëmbyer mallrat dhe shërbimet e ndërlidhjes me njëri-tjetrin. Të dytat janë tregjet moderne, që në fokus kanë kapitalin jonjerëzor dhe lakminë e kompanive për të tregtuar gjithçka, që nxitin konsumimin e përfitimin dhe ku nevojat e njerëzve zëvendësohen pak nga pak nga lakmia e konsumatorëve për të poseduar pothuaj gjithçka.
Tregjet e para zakonisht janë të vendosura në natyrë ose në sheshet e qytetit e nuk mbeten vetëm vende ku shkëmbehen mallrat e të mirat materiale. Është një vend i përsosur takimi i ndërlidhjes njerëzore e ku shkëmbehen përvoja, kultura dhe zakonet e një komunitetit a më gjerë. Të tilla tregje janë formuar prej njerëzve, për t’u shërbyer po atyre. Ato janë direkte dhe të larmishme. Ndërsa tregjet e dyta përjashtojnë kapitalin njerëzor si komponent të rëndësishëm në tërësinë e proceseve të tij. Një treg i tillë kthehet veçse në një grumbullues të madh parash në shërbim të kompanive të mëdha, që qëllim të vetëm kanë maksimalizimin e fitimeve. Një model i tillë nuk është aspak në favor të mjedisit dhe të njerëzve.
Por vit pas vit, numri i tregjeve tradicionale sa vjen e ulet, si pasojë e qendrave tregtare me dyqane të kompanive gjigante, e zinxhirëve të mëdhenj të supermarketeve dhe e infrastrukturës së blerjeve online. Pa dyshim që janë hapësira të jashtëzakonshme që i joshin njerëzit të shpenzojnë aty, por, pavarësisht nga dukja, janë një mënyrë mjaft e mirëmenduar që të mbetemi në vorbullën e manisë së konsumit dhe të dëshirës për të zotëruar shumë e më shumë, duke harruar rrënjët, vlerën dhe atë që lidh komunitetin me vendin.
Tregjet tradicionale janë burim i jashtëzakonshëm vendesh pune për banorët e komunitetit, e kështu bëhet e mundur që të ardhurat të qarkullojnë mes banorëve, duke i dhënë një dorë të mirë jo vetëm ekonomisë lokale, por edhe komunitetit rural e individëve të tij, të cilët në të shumtën e rasteve janë biznese familjare, bujq, fermerë apo prodhues, zanatçinj e punishtarë të vegjël. Është pikërisht mundësia për të shërbyer e për t’u vetëpunësuar në këto tregje tradicionale shtysa që një pjesë e mirë e banorëve të mos e braktisin komunitetin. Gjithmonë e më shumë statistikat bëhen të frikshme kur flitet për numrin e të larguarve nga zonat rurale, qytezat apo nga vetë kryeqytetet për një të ardhme më të mirë gjetkë.
Për më tepër, tregjet tradicionale ruajnë veçoritë e komunitetit. Në pamje të parë, ky argument duket si pak i rëndësishëm, por jo. Çdo fshat, krahinë, qytezë apo qytet ka veçorinë e vet, ndaj banorët vendës, në përpjekjet e sipërmarrjeve të tyre, do të bëjnë atë çka dinë më mirë dhe që në shumicën e rasteve buron nga njohuritë e përftuara në komunitet. Kështu, nëse Korça bën kërnackat më të mira në Shqipëri, kjo veçori e qytetit është falë traditës së kultivuar prej komunitetit të saj dhe tregut të vjetër të dikurshëm, pavarësisht se po bëjnë çmos t’i rezistojnë konkurrencës së dyqanit të hamburgervë amerikanë.