Vaji i ullirit
Disa makineri të shtypjes së ullirit u krijuan që ne lashtësi nga romakët dhe grekët e Mesdheut për të mekanizuar proçesin e shtypjes dhe morën emërtime të ndryshme si: trapetum, mola molearia, canallis et solea, trumpolar, prelum dhe tudicula. Këto makineri primitive kishin të gjitha leva të ngjashme të përdorura si kundërpeshë për të rritur presionin në shporta dhe për të nxjerrë sa më shumë vaj që të ishte e mundur. Shtypjet tradicionale mund të gjenerojnë rreth 200 litra vaj dhe 450 litra bërsi nga një ton ullinj.
Me zhvillimin e teknologjisë, të gjitha fazat e prodhimit të vajit të ullirit, nga vjelja e frutave deri tek paketimi i vajit për të arritur në shtëpitë tona i pandryshuar, janë bërë më të lehta, më të sakta dhe më të shpejta. Një larmi pajisjesh mekanike vjelëse, përpunuese, peshuese dhe paketuese prodhohen nga kompani të ndryshme dhe lejojnë që produkti të prodhohet në sasi më të mëdha dhe me garanci të cilësisë.
Fruti vilet nga nëntori deri në mars, pra gjashtë deri në tetë muaj pas shfaqjes së lulëzimit të pemës. Për të prodhuar vaj me cilësi më të mirë, fruti duhet të korret kur ai ndryshon ngjyrën, d.m.th kur ka përmbajtjen më të lartë të vajit dhe shijen më të mirë. Në vitet e fundit, janë shfaqur shumë pajisje mekanike për të ndihmuar në marrjen e frutave, por ato ende nuk përdoren gjerësisht, pasi në shumicën e zonave kjo bëhet në mënyrën tradicionale: punëtorët tundin degët me shkopinj, pasi përhapin vela ose rrjeta për të mbledhur frutat e ullirit.Të vjelat, duhet të transportohet në mulli sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda një deri në dy ditëve, sepse nëse ullinjtë lihen më gjatë, ata fillojnë të prishen si pasojë e proçesit të fermentimit.
Në një fabrikë përpunimi të ullirit, përdoren peshore speciale të cilat matin vëllimin dhe peshën e ullirit dhe bazuar në këto të dhëna llogaritet sasia e pritshme e vajit të ullirit që do të rezultojë nga shtrydhja. Ullinjtë më pas i nënshtrohen proçesit të selektimit nga gjethet, lahen dhe futen në makina të posaçm të shtrydhjes me rrota çeliku të pandryshkshëm. Gjate proçesit të shtrydhjes shtohet ujë dhe përzjerja filtrohet nga çdo përbërje e sedentuar krahas proçesit të kundërt të ndarjes se vajit nga uji.
Përpunimi i ullirit për të prodhuar vaj ulliri kalon në 4 faza:
Larja e ullirit
Larja kryhet në një lavatriçe moderne të teknologjisë së fundit me ujë të pastër, të bollshëm dhe të rrjedhshëm duke larguar më parë gjethet dhe pjesët e lehta.
Bluarja dhe homogjenizimi i brumit
Ky proçes thërmon ullirin me anë të mullirit dhe ruan brumin nga oksidimi nëpërmjet disqeve hermetike në të cilat qarkullon uji i ftohtë. Ky qarkullim ruan temperaturën më të ulët në mënyrë që të prodhojë vajin e cilësisë më të lartë, atë Ekstra të Virgjër.
Ndarja e lëngjeve nga bërsia
Ndarja bëhet në ndarës horizontal të quajtur “Dekantër” duke kushtuar kujdes që temperatura e ujit të mos kalojë 25°C.
Ndarja e vajit nga uji– bëhet me ndarës centrifugal vertikal ku këtu ndalohet rreptësisht përdorimi i ujit të ngrohtë. Në këtë pikë vaji është gati, por proçesi i përpunimit nuk ndalet këtu. Më poshtë është faza përcaktuese e paketimit të vajit, një fazë që kontribuon ndjeshëm në ruajtjen e aromës, shijes, përbërjes ushqimore dhe vitaminave të tij.