Varianti Delta i COVID -19 edhe në Shqipëri. Sinjalet për kujdes e vigjilencë!
Këtë të diel, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar hyrjen e variantit Delta të Covid-19 në Shqipëri, pas analizave të kryera në një laborator në Berlin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë rritja e numrit të rasteve të reja ditore në mbarë vendin përkon me hyrjen e këtij variant, i cili deri më tani rezulton të jetë më i rrezikshëm dhe më lehtë i përhapshëm/ ngjitës.
Në fakt, prej disa ditësh ekspertët kishin ngritur shqetësimin se ky variant tashmë ishte present në vendin tonë, sidomos për shkak të rritjes së numrit të rasteve ditore. Megjithëse, mund të thuhet se shtimi i rasteve me variantin Delta mund të jetë edhe rezultat i numrit dukshëm të shtuar të turistëve nga vendet e prekura prej këtij virusi si Anglia, Italia, etj. Për hir të së vërtetës, Shqipëria e këtyre javëve duket si destinacioni i parë a i fundit për mijëra turistë nga mbarë bota, të cilët kanë vërshuar rrugët e qyteteve ngado!
Autoritetet vazhdojnë të apelojnë tek qytetarët për kujdes të shtuar dhe vaksinim anti-Covid të sa më parshëm, në mënyrë që të jenë më të mbrojtur ndaj virusit.
Sipas të dhënave, varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 mbetet varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.