Verërat e bëjnë Shqipërinë një vend vintage
Kur bisedoja me një mikeshë amerikane në distancë, ajo më tha se bota duhet të dëgjojë më shumë për verërat që ndodhen jashtë një farë ´´shtegu të rrahur´´. Shteg ku jetojnë verërat më të njohura nga Franca, Italia, Spanja dhe SHBA-ja. Verërat për të cilat po fliste, ishin pikërisht verërat shqiptare. Një shteg i parrahur, por që në të vërtetë është një shteg ku vera ka shkelur me kohë.
Kështu, unë nisa t’i tregoj për verën ilire të prodhuar nga mjalti. Po, e lexuat saktë! Vera e mjaltit është prodhuar përpara asaj të rrushit, veçanërisht nga fiset ilire të taulantëve dhe të tabutëve. Ata njihen për prodhimin e verës nga mjalti, duke e tharmuar atë. Këtë e pohoi edhe filozofi grek Aristoteli, i cili e përshkroi me fjalët: ´´Vera e mjaltit është qiellore, sepse nektari që bletët mbledhin, vjen nga qielli.´´ Tanimë ne kemi shumë verëra që shijojnë ëmbël si mjalti.
Unë vazhdova t’i tregoj për pjergullat e shtëpive që bëjnë hije, verë e raki. Për djathin e stazhionuar në bërsi, për fjalë dhe shprehje autentike mbi botën vreshtare e verëtare. I tregova për zakonet arbëreshe, ku krushqit e nuses lajnë flokët me verë përpara se t’i bëjnë gërshet. I tregova edhe për Kallmetin e Papës. Vatikani dërgonte klerikët e tij për të përzgjedhur vreshtat nga ku do të merrej rrushi Kallmet, të bëhej verë dhe të eksportohej në Vatikan.
Mrekulli, Papa argëtohet me Kallmet!
Nëse lexon libra shqip mbi verën, shkruar profesionalisht nga autorë, si Andrea Shundi, Renata Kongoli e Vangjel Zigori, në to diktohet që historiani francez Henri Enjalbert ka cilësuar se Shqipëria dhe ishujt grekë mund të kenë qenë ´´refugjatët´´ e fundit evropianë ku hardhia ka shkelur dhe është përhapur. Si rrjedhojë, trojet shqiptare janë ndër vatrat dhe vendet me histori më të gjatë për vreshtari në Evropë. Që nga koha ilire. Sikurse thotë edhe gjeografi grek Strabo: ´´Iliria është plot me ullishta dhe vreshta të mira´´.
Të gjithë këtë histori, Mozaiku i Linit e ka krijuar pjesë-pjesë. Ky mozaik është ndërtuar në shekullin V-VI, në fshatin piktoresk me të njëjtin emër. E ndërsa udhëton në Pogradec, është e pashmangshme të mos ngjitesh në këtë kishë, duke shkelur në rrugicat me kalldrëm për të parë hijeshinë e saj. Aty, rrushi duket sikur pret të vilet dhe kokrrat e tij po shpërthejnë nga ëmbëlsia, eliksirin e së cilës zogjtë e pinë nga ena.
A nuk ngjan kështu?
Nga Marjeta Istrefi