Shega e mrekullueshme
Shega ose ndryshe “molla e Kartagjenës”, në latinisht Punica Granatum, mendohet se e ka origjinën nga Mesopotamia pjellore, ku ajo filloi të kultivohej prej më herët se 4,000 vjet P.K. dhe prej andej udhëtoi në Perëndim, prandaj është një nga frutat e para që rritet në mënyrë sistematike në botë. Tregtarët arabë e sollën atë në Spanjë – madje sipas një versioni qyteti i Granadës u emërua për nder të shegës – dhe nga atje spanjollët e përhapën atë në Amerikë.
Origjina e shegës në Shqipëri po shqyrtohet nga shkencëtarët europianë dhe shqiptarë, pasi në territorin shqiptar, në zonën bregdetare, me shtrirje 300 km veri-jug, veçanërisht në zonën Lezhe – Milot, gjenden formacione pyjore me shegë të egra. Në studimin që ka filluar në vitin 1995, është hedhur ideja se disa lloje të shegëve të buta që kultivohen në Shqipëri e kanë origjinën nga shegët e egra vendase, si rrjedhojë e një seleksionimi të gjatë. (Xhuveli, 2012).
Ky studim vazhdon të plotësohet edhe me analizat e testet gjenetike bashkëkohore. Fruti i shegës është përdorur që nga koha e Hipokratit. Mjekësia tradicionale përdor lëkurën, gjethet dhe farat e saj për të luftuar diarrenë, dizenterinë kronike dhe plagët. Farat e pabëra përdoren për temperaturën, ndërsa të pjekurat për kollën. Në Romën Antike, ajo ishte e njohur gjithashtu për cilësitë kozmetike të saj. Kleopatra e Egjiptit përdorte lëngun e saj në fytyrë, në flokë dhe në thonj.
Karakteristikat farmaceutike:
Veprimi antioksidues
Antioksidantët kryesorë të pranishëm në frutat e shegës janë flavonoidet (kryesisht antocianina), taninet dhe acidi ellagjik. Taninet janë ato që i japin një shije të hidhur lëngut të shegës, ndërsa antocianinat i japin ngjyrën e kuqe. Karakteristikat antioksiduese të shegës janë efektive në trajtimin e arterosklerozës, inflamacionit të arterieve dhe zemrës si edhe hipertensionit. Këto veti janë gjithashtu të dobishme si antibakteriale dhe në mbrojtjen e mëlçisë dhe veshkave nga dëmtimet e shkaktuara nga radikalet e lira.
Veprimi anti-kancer
Përmbajtja e pasur e lëngut të shegës në polifenole, lejon shumë studiues të besojnë se shega ka shumë efekte anti-kancer (parandaluese, anti-metastatike, kundër angiogjenezës, etj.). Katër kimikate në lëngun e shegës, acidi ellagjik, acid kafeik, luteolinë dhe acid pusinik, është treguar se frenojnë rritjen e qelizave kanceroze in vitro, veçanërisht kancerin e prostatës (PC-3). Konsumi i lëngut të shegës luan një rol të rëndësishëm në ngadalësimin e përparimit të kancerit të prostatës. Studimet mbi efektin e lëngut të shegës në trajtimin e qelizave të kancerit të zorrës së trashë kanë treguar rezultate shumë pozitive, në përqindje prej 30-100%. Një studim tjetër i fundit nga Universiteti i Wisconsin-Madison tregoi se konsumimi i shegës mund të ndihmojë në uljen e rritjes dhe përhapjes së qelizave kancerogjene në laring, si dhe në parandalimin e kancerit të mushkërive.
Veprim mbrojtës ndaj sëmundjeve kardiovaskulare
Efekti mbrojtës i polifenoleve kundër sëmundjeve kardiovaskulare mendohet të jetë për shkak të aftësisë së tyre për të penguar oksidimin e LDL (kolesterolit të keq), i cili është treguar in vitro dhe in vivo si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët. Konsumi i rregullt i lëngut të shegës ndihmon në parandalimin e formimit të pllakave aterosklerotike në arterie dhe shfaqjen e presionit të lartë të gjakut, dy faktorë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e problemeve kardiovaskulare. Sipas hulumtimeve të fundit, lëngu i shegës ndihmon gjithashtu trupin të mbajë nivelet e acidit nitrik në nivele normale, duke mbajtur kështu të shëndetshëm muret e enëve të gjakut dhe përmirëson rrjedhën e gjakut në zemër, ndërsa kontrollon presionin e gjakut.
Veprim kundër plakjes
Frutat e shegës përdoren për të bërë kremëra kundër plakjes për lëkurën, për shkak të përmbajtjes së tyre të lartë të acideve yndyrore omega-3 dhe omega-6. /Diaspora na meson