Vilat e Tiranës drejt zhdukjes
Monumentet e Kulturës po zhduken dita ditës në Tiranë, ku rezulton se vetëm në 6 vitet e fundit, 35 objekte nuk e gëzojnë më këtë status. Kryeqyteti numëron rreth 260 monumente kulture dhe pothuajse gjysma e tyre janë vila dhe banesa private, por që janë lënë në harresë, shembur ose degraduar.
Grupi Citizens Urban Stories (CUS), me mbështetjen e Leviz Albania ka kryer një studim të gjerë për të evidentuar gjendjen e ndërtesave “monument kulture” në gjashtë zona të Tiranës, konkretisht zonat si: Qendra e qytetit, Ura e Tabakëve, Rruga e Mimozave (zona mes Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit), Pazari i Ri, Rruga Tefta Tashko, Broduej (rruga te 15-katëshi) dhe Rruga e Dibrës.
Këqyrja e informacioneve zyrtare për sa i përket vendimmarrjeve në nivel qendror, ka nisur nga dokumenti i vitit 2000, ku më vendimin nr.180, datë 24.04.2000 të këshillit të ministrave, qendra e Tiranës, është shpallur ‘Ansambël Monumental Historik’. Po tashmë qendra historike, nën sulmin e ndërtimeve të reja me një sërë vendimesh të njëpasnjëshme në 2017 dhe më pas me atë të 3 tetorit 2018, qendra e Tiranës, humbi më shumë së gjysmën e sipërfaqes së saj që mbrohej sipas legjislacionit në fuqi..
Vendimi i cili ndryshoi kufirin mbrojtjes të këtij Ansambli, nuk shpalosi arsyetim shkencor se përse godina si: Teatri Kombëtar, vilat e Toptanëve – monumente kulture kategori e parë; Varri i Sulejman Pashës- monument kulture kategori e parë; Kabina e parë elektrike e qytetit-monument kulture kategori e dytë; Kulla e Sahatit të Tiranës-monument kulture kategori e parë; Stadiumi Kombëtar-monument kulture kategori e dytë, etj., u lanë jashtë kufirit të zonën e tyre të mbrojtjes. Raporti që shoqëron këtë vendimmarrje nuk është bërë asnjëherë transparent për publikun.
Ajo çka rezulton nga ky studim është fakti se Vilat e Tiranës janë në rrezik zhdukje. Në fondin total prej 299 objektesh me status ‘monument kulture’ në qarkun e Tiranës, 260 janë evidentuar në qytet dhe 39 prej tyre në pjesën tjetër të territorit të qarkut. Nga ky fond total objektesh të evidentuar në fillim të këtij projekti, 123 prej tyre janë të tipit vilë/banesë tradicionale, duke përbërë mbi 50% të numrit total të monumenteve të kulturës të gjendur në qytetin e Tiranës.
Objektet e marra në vëzhgim nga projekti brenda rrezes së zonës së përcaktuar, janë në total 60, nga të cilat, 55 janë objekte banimi të tipit vilë urbane, 3 janë objekte të tipit banesë tradicionale, dhe 2 janë objekte të karakterit administrativ. Vetëm 52 objekte të tipit vilë/banesë, kishin status mbrojtës ‘monument kulture’ në fillim të projektit, ndërsa 6 prej objekteve të tipit vilë/banesë tradicionale nuk e kanë marrë asnjëherë atë.
Duke qenë se komuniteti ka qenë edhe aktori kryesor në këtë projekt, objektet të tipit vilë, të cilat janë cilësuar nga banorët e zonës si pika referimi dhe pjesë e kujtesës kolektive, janë përfshirë në vëzhgim dhe ato përbëjnë një fond prej 6 godinash të tipit vilë, ose 10% të totalit, të cilat nuk e kanë marrë asnjëherë statusin monument kulture.
Nisur nga gjendja në terren e objekteve të marra në vëzhgim, është bërë një analizë e gjendjes në terren. Nga 132 objekte, grupimi mori në vëzhgim 60 të tilla, kur rezultoi se 50% e tyre, janë në gjendje të shembur, të braktisur/degraduar ose pjesërisht jashtë funksioni.
Rezultatet tregojnë se nga 60 objekte e vëzhguara në terren, 9 prej tyre janë shembur dhe aty ku ndodhej monumenti, është në proces ose ka përfunduar një objekt shumëkatësh i tipit pallat. Ky fenomen është i shpërndarë në territor, pavarësisht vendndodhjes së monumentit, statusit të tij ligjor apo gjendjes fizike. Gjithashtu është vënë re se janë shembur vila, të cilat sipas dokumentacionit ligjor, kanë gëzuar statusin ‘Monument Kulture’ dhe nuk ka një dokument zyrtar publik që të deklarojë arsyetimet shkencore të këtij vendimi.
Një rast i tillë janë banesat e Toptanëve, në rrugën Tefta Tashko, monument kulture kategori e parë dhe e dytë. Edhe pse gëzonin status mbrojtje sipas ligjit, u shembën në vitin 2020, ndërkohë që ky projekt ishte në proces. Në terren gjendet një kantier ndërtimi.
Nga intervistat me banorët e zonës dhe komunitetin që jeton rreth vilës, është evidentuar fakti se, nuk ka njoftim zyrtar dhe as njohje me heqjen e statusit të vilës përpara se ajo të shembet. Dy vilat e banimit janë shembur natën dhe në momentin e vëzhgimit në terren aty ishte hapur gropa dhe kishte filluar pilotimi i sheshit të ndërtimit. Shqetësimi i banorëve të zonës në atë që dikur quhej rruga e “Pishave” duket se është rritja e dendësisë urbane, e cila do sjellë probleme për të gjithë lagjen sidomos me qarkullimin rrugor.