Vizioni i sipërmarrësit komunitar
Pak vite më parë, një sipërmarrëse e suksesshme hodhi në treg një linjë këpucësh të bardha për nuse. Një strategji e përkryer marketingu bëri që këto këpucë elegante, punuar me mjeshtëri, të bënin bujë e zhurmë mediatike që në ditët e para të reklamimit të tyre. Të gjitha mbanin krenarisht nga një emër të një vajze të njohur të showbiz-it shqiptar, të cilat të lumtura për dedikimin ndanë e shpërdanë fjalët më të mira e fotot më mbresëlënëse për të promovuar këtë produkt.
Pa më të voglin dyshim ato këpucë përrallore nuk do të zilepsnin aq shumë nëse shkrimi me varak në shollë nuk do të mbante emrin e një personazhi të njohur (histori e njohur e markës tashmë) apo t’u dedikohej, fjala bie, atyre që punuan për këto këpucë, si për shembull: atyre grave që ashtu heshturazi me punën e tyre, bënë të mundur që sipërmarrja e këtyre këpucëve të ishte e suksesshme. Por, padyshim, ndërlidhja njerëzore është ai dimension që duhet përqafuar edhe prej të famshmëve, sipërmarrësve të suksesshëm apo influencuesve të rëndësishëm në veprimtarinë e tyre: mesazhi i përcellë te masa.
Kësisoj, në rutinën masmediatike të formatimit të personazheve ndjellëse apo influencuese, të këtyre ikonave moderne të adhurimit, te cilat shpalosin një jetë spektakolare, të cilën ke mundësi vetëm ta shohësh, ta klikosh, por që s’mund të jesh pjesë e saj dhe ku e gjithë bota vërtitet rreth “reklamave”, pa shumë mend bie në sy shkëlqimi i rremë i skenarëve ku njëriu i zakonshëm, komuniteti dhe rastet frymëzuese prej po vetë atyre, janë të përjashtuara nga buja.
E megjithatë, nuk ka absolutisht asgjë të keqe me suksesin e një sipërmarrjeje ku fokusi është vetvetja: rritja e zhvillimi i saj; as me përfitimet e dhjamura, fresku mediatik, PR-i i duhur e lidhjet që jo çdokujt i mundësojnë sukses. Ana tjetër e medaljes rrëfen për një tjetër qasje e mendësi për të bërë biznes. Janë pikërisht ata sipërmarrës, të cilët e shohin rritjen e veprimtarisë e suksesit të tyre bashkë me kontributin, ndryshimin e vlerën që mund të sjellin në jetën e banorëve të një komuniteti apo bashkësie njerëzish, përtej pritshmërive të së zakonshmes për një sipërmarrje.
Por, me të drejtë në ditët e sotme kur flasim për ushtrimin e një profesioni që i shërben komunitetit, vrikthi na shkon mendja te mjekët, mësuesit, policët, artistët, të cilët në përmbushje të sakrificave profesinoale udhëhiqen nga virtyte të larta në mënyrë që masa e gjerë të përfitojë prej shërbimit të tyre. I njëjti përkufizim do të ishte i denjë edhe për një sipërmarrës komunitar, i cili zotëron mendësinë për të organizuar e investuar asetet financiare në interes të sipërmarrjes së tij duke pasur në mendje përfshirjen e komunitetit që ky i fundit të jetë përfitues nga kjo veprimtari.
Këta sipërmarrës kanë vizionin e virtytësinë e shpirtit të sipërmarrësit që përmes veprimtarisë së tij, konsideron nevojat e një komuniteti e sjelljen e një ndryshimi e përfitimi të dyanshëm. Janë pikërisht këta sipërmarrës, të cilët kanë prioritet t’i sjellin zhvillim komunitetit dhe të gjenerojnë të ardhura dhe vende pune, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë banorët e komunitetit janë përfitues gjithashtu. Nismë kjo që tejkalon në vokacion: kënaqësia e kthimit të profesionit në mision.
Padyshim, që profesioni si term ndryshon kryekëput nga termi vokacion. Termi, që e ka burimin prej gjuhës latine, fjalës“vocare”, u përdor rishtas prej manastireve për të rekrutuar murgjit e rinj në rigjetjen e lumturisë, kuptimit të jetës dhe shpëtimit përgjatë përmbushjes së dytyrave hyjnore. Zhveshur nga nocioni fetar, sot ky term ka marrë një tjetër kuptim. Qasja me intuitë drejt lumturisë, është sakrifica vetjake për interes kolektiv përmes zhvillimit individual të aftësive dhe talentit në shërbim të një profesioni, i cili jep kënaqësi gjatë ushtrimit të tij.
Henry Ford e nisi punën si sipërmarrës i automobilëve së bashku me pesëqind sipërmarrës të tjerë, ku pjesa më e madhe e tyre nuk arriti të gjeneronte asnjë kacidhe. Ajo çfarë e veçoi suksesin e tij nga të tjerët ishte aftësia dhe vizioni për të tejkaluar pritshmëritë e klientëve të tij. Në një nga shprehjet më të famshme të tij, Ford shprehet kësisoj: “Nëse do të pyesja konsumatorët se ç’do të donin, ata do të përgjigjeshin se do të donin karroca kuajsh më të shpejta”. Nëse të gjithë konkurrentët e tij nxituan të ndërtonin makina luksoze të shtrenjta, Ford u fokusua në ndërtimin e një automjeti ekonomik të aksesueshëm nga masa.
E nuk është aspak e tepruar nëse jepet shembulli i sipërmarrësit Ford sa herë konsumohet tema për nje mundësi më të mirë për mirëqenie kolektive, e cila vjen në konsumim të aseteve të një sipërmarrësi të tillë, por që është mënyra e vetme për “tempullin e qëndrueshëm të lumturisë vetjake”. Nuk do të thotë aspak që një sipërmarrës komunitar të bëjë çudinë e magjinë me shifra e arritje mbresëlënëse: mjaftonqë aftësia dhe investimi i tij t’i shërbejë pak të tjerëve, për të cilët nuk është menduar mjaftueshmërisht më parë.
Daniel Isenberg në librin e tij “E panevojshme, e pamundur, budallëk. Si sipërmarrësit kontradiktorë krijojnë e përvetësojnë vlera të jashtëzakonshme?” kërkon të na njohë me atë lloj sipërmarrësi që gjithnjë vozit kundër rrjedhës dhe merr rreziqe mbi ato vlera e asete ku botërisht tregu i nënvlerëson. Një sipërmarrës komunitar ia del të jetë i tillë nëse arrin të jetë kurioz, në dyshim të herëpashershëm të “status quo-së”, e krijon vlera për të cilat njerëzit kanë nevojë e duan të sjellin ndryshim. Padyshim, një i tillë preferon të promovojë të tjerë përmes vetes pa vrarë këmbëzbathurit, ndryshe nga një sipërmarrës i zakonshëm.