Virtytësia i një sipërmarrësi
Me të drejtë në ditët e sotme kur flasim për ushtrimin e një profesioni që i shërben komunitetit, vrikthi na shkon mendja te mjekët, mësuesit, policët, artistët, të cilët në përmbushje të sakrificave profesinoale udhëhiqen nga virtyte të larta në mënyrë që masa e gjerë të përfitojë prej shërbimit të tyre. I njëjti përkufizim do të ishte i denjë edhe për një sipërmarrës komunitar, i cili zotëron mendësinë për të organizuar e investuar asetet financiare në interes të sipërmarrjes së tij duke pasur në mendje përfshirjen e komunitetit që ky i fundit të jetë përfitues nga kjo veprimtari.
Këta sipërmarrës kanë vizionin e virtytësinë e shpirtit të sipërmarrësit që përmes veprimtarisë së tij, konsideron nevojat e një komuniteti e sjelljen e një ndryshimi e përfitimi të dyanshëm. Janë pikërisht këta sipërmarrës, të cilët kanë prioritet t’i sjellin zhvillim komunitetit dhe të gjenerojnë të ardhura dhe vende pune, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë banorët e komunitetit janë përfitues gjithashtu. Nismë kjo që tejkalon në vokacion: kënaqësia e kthimit të profesionit në mision.
Padyshim, që profesioni si term ndryshon kryekëput nga termi vokacion. Termi, që e ka burimin prej gjuhës latine, fjalës“vocare”, u përdor rishtas prej manastireve për të rekrutuar murgjit e rinj në rigjetjen e lumturisë, kuptimit të jetës dhe shpëtimit përgjatë përmbushjes së dytyrave hyjnore. Zhveshur nga nocioni fetar, sot ky term ka marrë një tjetër kuptim. Qasja me intuitë drejt lumturisë, është sakrifica vetjake për interes kolektiv përmes zhvillimit individual të aftësive dhe talentit në shërbim të një profesioni, i cili jep kënaqësi gjatë ushtrimit të tij.