Zakone të këqija prej civilizimit modern
Earth Overshoot Day është një platformë shkencore që përllogarit në bazë të ritmit të konsumit, kur shterojnë burimet natyrore gjatë një viti të caktuar. Konkretisht, për 2021-n, llogaritet që kjo datë është 29 korriku, datë që apelon se kemi ezauruar burimet natyrore për 2021-n dhe se përtej kësaj date po shfrytëzojmë kapacitetet natyrore në mënyrë aspak të qëndrueshme, duke dëmtuar tokën dhe të ardhmen tonë.
Një botë çmendurisht e vrullshme që të kaplon me ankthin e të jetuarit shkujdesur, civilizimin, me progresin socio-ekonomik përmes të qënit të lirë e me të drejta, si në asnjë epokë tjetër. Por e gjitha kjo nuk erdhi pa një çmim. Zhvillimi teknologjik që po përjetojmë, rritja e popullsisë dhe aktiviteti njerëzor mbi natyrën dhe klimën, po na çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt epokës gjeologjike Antropocene.
Një epokë ku njeriu dhe aktiviteti i tij ka një ndikim të paprecedent mbi Tokën e gjithë gjallesat. Jo domosdoshmërisht duhet të kalojnë shekuj e mijëvjeçarë për të parë “mbetjet fizike” të njeriut modern. Panorama është rrëqethëse: mbulimi i tokës me plastikë, ngrohja globale, shkatërrimi i habitateve natyrore, shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore, humbja e biodiversitetit dhe zhdukja e shumë specieve të gjalla.
Pa frena, si kurrë më parë, burimet natyrore u shfrytëzuan barbarisht nga sistemi ekonomik në fuqi, ndihmuar nga sistemi politik dhe kompanitë shumëkombëshe. E gjitha kjo në emër të civilizimit modern, që iu përvesh dhunshëm kulturave vendase dhe indigjene, me akte barbare kolonizimi, gjenocidi e skllavërimi. E thënë në gjuhën e shifrave, rreth 97% e botimeve shkencore tregojnë se ngrohja globale është shkaktuar nga aktiviteti njerëzor. E po të vazhdojmë të flasim më tej, mund të themi se që prej lindjes së civilizimit, njeriu është përgjegjës për zhdukjen e 83% të kafshëve të egra, 80% të gjitarëve detarë, 50% të bimëve dhe 15% të peshqve.
Të njëjtin efekt ka sjellë edhe mania e të veshurit, pasja me tonelata dhe imitimi i gjithçkaje, që imponohet nga çdo formë e mundshme marketingu mediatik. Kështu do të shpjegohej edhe veprimi i markës luksoze të veshjeve Burberry, e cila sipas prestigjozes The Guardian, në vitin 2018 dogji veshjet e pashitura me vlerë 36 milion dollarë për të shmangur rënien e çmimit dhe që të mos përdoreshin në masë. Por ka një arsye të rëndësishme pse duhet të shohim përtej hundës.
Po i shkaktojmë Tokës dëm kolosal shtëpisë sonë të vetme, nga konsumi i tepruar të pothuajse 60% të burimeve natyrore në vetëm pak dekada, tipar i civilizimit modern. Në mënyrë të pamëshirshme, grykësia për të pasur e zotëruar gjithçka, po e fut njeriun në Epokën Antropocene në kafazin e artë të konsumizmit, sipas Tim Xhekson, autor i librit “Lulëzim pa zhvillim: Themelet e ekonomisë të një së nesërmeje”.
E gjithë kjo ka bërë që plastika të jetë një material tejet i përdorur, madje kemi krijuar varësi. Sot flitet shumë pak për pasojat e rënda mjedisore që ka sjellë ky zakon i keq. Në gjuhë statistikash, në të gjithë botën, blihen çdo minutë një milion shishe plastike dhe përdoren çdo vit 5 trilionë qese plastike njëpërdorimshme.
Gjysma e gjithë plastikës së prodhuar përdoret vetëm një herë dhe më pas hidhet. Kush është përgjegjësi kryesor për këtë? Studimet tregojnë qartë se janë shtetet e zhvilluara ato që kanë futur këtë frymë konsumizmi të shfrenuar, në interes të kompanive shumëkombëshe dhe globalizimit. Kështu, sipas Qendrës Mjedisore Helmholtz në Gjermani, gjermanët e amerikanët hedhim 10 herë më shumë plastikë në mjedis sesa indianët apo kenianët.
Clive Hamilton, në librin e tij “Utopikët në Epokën Antropocene”, shpjegon se jetojmë në një periudhë ku duam t’u shpëtojmë gabimeve të së shkuarës duke shmangur të ardhmen, prej frikës së veprimeve tona të papërgjegjshme. Me argumentin se duhen dëgjuar mësimet e natyrës e cila ka narrativën e saj, këndvështrim që bie ndesh me atë të njeriut që mendon se sundon botën, duhet veprim, veprim i menjëhershëm që të mos mësohemi me të jetuarit në një planet të pajetueshëm.
Prandaj kërkohet forcë për të kërkuar të vërtetën, mbi atë çka po ndodh me natyrën tonë si njerëz. Duhet të reflektojmë mbi statusin si konsumatorë të manipulueshëm, të reflektojmë për dogmën se lumturia varet nga aftësia për të blerë e konsumuar pafund, me idenë se kështu tregohet se sa të pasur dhe të fuqishëm jemi.
Nëse kuptojmë se si njerëz, si specia më e zhvilluar e planetit, po e shkatërrojmë planetin me sjelljen, grykësinë dhe mendjemadhësinë tonë, atëherë do të bëhemi më të vetëdijshëm për një milion arsyet dhe faktet pse duhen ndrequr disa gjëra, para se të jetë tepër vonë, që njerëzit e së ardhmes së largët të mos na llogaritin si qenie që u mbytën në krenarinë e arritjeve.